E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia reagon fort ndaj deklaratës së Berishës

Serbia i ka bërë zyrtarisht thirrje qeverisë së Shqipërisë të tërheqë deklaratën e saj mbi ngjarjet e fundit në Preshevë. Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme serbe theksohet se Berisha duhet të parandalojë veprimet për destabilizimin e situatës në vende fqinje dhe të respektojë të drejtat e minoriteteve në Shqipëri, transmeton shekulli.

DEKLARATA E PLOTË

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh protestën e saj të fortë kundër Deklaratës së Qeverisë së Shqipërisë për heqjen e monumentit në Preshevë.

Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron gjuhën e përdorur në atë deklaratë nxitëse direkt për veprime që ndihmojnë destabilizimin e situatës në jug të Serbisë dhe në të gjithë rajonin, në vendet fqinje ku jetojnë minoritete etnike të Shqipërisë.

Emërtimi dhe akuzat të drejtuara ndaj Qeverisë së Serbisë janë nën nivelin e çdo komunikimi dinjitoz sido që të jetë dhe janë në kundërshtim me zotimin e dhënë nga Kryeministri i Shqipërisë Berisha, personalisht, gjatë vizitës së fundit të Ministrit të Jashtëm të Ivan Mrkiç në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Shpjegimi se retorika nxitëse është për shkak të shqetësimeve mbi statusin e minoritetit etnik shqiptar në jug të Serbisë është një manipulim i rëndë, pasi faktikisht mbrojtja e shqiptarëve dhe çdo minoriteti kombëtar në Serbi është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, më të larta se ato të aplikuara ndaj minoriteteve kombëtare që jetojnë në Shqipëri.

Pikërisht për shkak të mungesës së trajtimit brenda kuadrit ligjor që do të sigurojë mbrojtje për serbët dhe minoriteteve të tjera kombëtare në Shqipëri, ne besojmë se autoritetet shqiptare duhet urgjentisht të marrin hapa serioze për të siguruar që komunitetet janë të mbrojtura sipas standardeve të pranuara ndërkombëtare.

Shqipëria, si shtet që thekson se prioriteti i saj është miratimi i vlerave Evropiane dhe anëtarësimi në BE, presim që vërtet ajo të jetësojë prioritetet e shpallura dhe të parandalojë veprimet e saj për destabilizimin e situatës në vende fqinje.

--------------------------------

DEKLARATA E QEVERISË SHQIPTARE

Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Millosheviçit.

Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit.

Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t'i zbatojë.

Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut.

Qeveria shqiptare u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›