Serbia s’mundet në BE pa e zgjidhur konfliktin me Kosovën

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert, theksoi se nuk mund të lejohet që Serbia të sjellë në BE një konflikt të pazgjidhur, por gjithashtu shtoi se askush nuk po e kërkon njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit.
Degert theksoi se shpreson se marrëveshja e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel do të zbatohet, ngase në këtë mënyrë, në periudhën afatgjate do të shmangen tendosjet dhe konfliktet dhe se qytetarëve do t’iu mundësohet të jetojnë në një mjedis stabil dhe të sigurt.
“Nuk dëshirojmë të përjetojmë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së me probleme të pazgjidhura me fqinjët, prandaj insistojmë që dy palët të bisedojnë për problemet dhe të gjejnë një zgjidhje, e cila do t’ia lehtësojë jetën qytetarëve si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë. Nuk dëshirojmë të fusim një konflikt në BE dhe për këtë arsye dëshirojmë që konflikti të zgjidhet para anëtarësimit”, ka thënë Degert.
Degert përkujtoi se procesi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit është zhvilluar në mënyrë të paanshme sa i përket statusit të Kosovës dhe se askush nuk ka ngritur çështjen e njohjes, ngase në BE ekzistojnë qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje, respektivisht se në union ka edhe shtete, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nuk po kërkojmë që Serbia të njohë Kosovën, është kjo një çështje, të cilën nuk e prekim gjatë diskutimeve, por dëshirojmë që Prishtina dhe Beogradi të gjejnë rrugë për normalizimin e marrëdhënieve dhe që qytetarëve të ju ofrojnë zgjidhje, institucione që funksionojnë, gjyqësi që funksionon, mundësi për të bërë tregti”, nënvizoi Degert.