E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbisë i errësohen sytë nga fraza e BE “Integriteti i Kosovës s’preket”

15-10-2012 / Nga Dush Gashi

Udhëheqësit serbë, me gjasë, kurrsesi s’duan të kuptojnë se, e pranuan a s’e pranuan ata, Kosova tashmë ka kohë që është e pavarur, kështu që edhe faktin pse Perëndimi, “për t’ua ruajtur fytyrën” nuk ua ka kërkuar edhe njohjen e sa j formale si shtet si kusht për integrim në Evropë, po e shfrytëzojnë për ta mbajtur gjallë iluzionet, se Serbia mund të rikthehet në Kosovë, apo së paku mund ta mbajë për vete pjesën veriore të saj. Prandaj, kryeministri serb, Daçiq, ishte “i brengosur”, kur mësoi se në Strategjinë e zgjerimit 2012 të BE-së, thuhet se “zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës duhet të jetë me respektimin e integritetit territorial të Kosovës...”, sa edhe e vuri në pyetje mundësinë e dialogut të mëtejmë Prishtinë-Beograd. “Jam shumë i shqetësuar me kërkesën e Komisionit Evropian se Serbia duhet të respektojë integritetin territorial të Kosovës, sepse në vend që të ndihmojë fillimin e dialogut, ajo mund ta mbyllë atë. Ndoshta do të ishte më e ndershme që prej Serbisë të kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sesa ta njohë integritetin shtetëror”, ka thënë ai. Në të vërtetë, nëse është për t’i besuar shtypit serb, ky formulim në dokumentin e hartuar nga Komisioni Evropian është futur në çastin e fundit dhe atë mu për shkak të deklaratave të përsëritura shumë herë të kryeministrit serb, i cili si “qëndrim personal” çonte porosi se “ndarja e Kosovës është zgjidhja më e mirë”. Po ashtu, ndër deklaratat konfuze të udhëheqësve serbë, të cilët nga njëra anë deklarohen se janë për integrime në Evropë, ndërsa nga ana tjetër i ruajnë qasjet e së kaluarës – numërohet edhe ajo e kryetarit Nikoliq, i cili sërish në Itali e përsëriti qëndrimin e tij të njohur se “në Srebernicë nuk ka pasur gjenocid”. Edhe Nikoliq e konsideron “kontestues” formulimin për integritetin territorial të Kosovës dhe, natyrisht, kërkon që ai të hiqet.
U desh që në Beograd të shkojë vetë komisionari Fule, i cili u shpjegoi serbëve se, ndonëse kjo nuk do të thotë se Serbia duhet edhe formalisht ta njohë Kosovën, ata duhet ta pranojnë integritetin territorial të Kosovës, të pushojnë se mbështeturi strukturat paralele dhe, në përgjithësi, të ndërtojnë raporte më të afërta me Prishtinën. Sidoqoftë, Perëndimit, meqë ka zgjedhur këtë rrugë të joshjes së Serbisë në vend që t’i kërkonte që paraprakisht ta njohë Kosovën, do t’i duhet edhe në të ardhmen të ballafaqohet me “konfuzionin” serb, ndonëse ka shenja se ai do të tolerohet gjithnjë e më pak. Së këndejmi, për fat të keq, duhet të përballemi edhe me “konfuzionin” e pushtetarëve tanë, sepse ende nuk është e sigurt se ç’do të ndodhë me veriun e vend në dialogun e paralajmëruar me serbët. Ndonëse me kërkesën për respektimin e integritetit territorial të Kosovës, duket se Evropa përfundimisht i ka vënë pikë mundësisë së ndarjes së Kosovës, megjithatë formulimi se zgjidhja për këtë pjesë duhet të respektojë edhe “nevojat e popullsisë lokale” është mjaft i gjerë dhe mund të përfshijë shumëçka brenda tij.
Megjithatë, duket se mbështetja që për veriun të gjendet një zgjidhje në kuadër të Planit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit nga shtetet perëndimore nuk mungon e mbi këtë bazë sigurisht se do të mund të arrihej një konsensus mes forcave politike të Kosovës. Prandaj, mbi të gjitha, habit fakti se si kryeministri i vendit sikur do ta personalizojë këtë dialog, pavarësisht se ç’rrjedhë mund të marrë e ç’përfundime mund të sjellë, ndërsa afrimi i AAK-së, apo i një pjesë të saj, me pushtetin rreth kësaj çështjeje, le shijen e keqe se fati i një pjese të vendit po shërben si gjë nga e cila mund të sigurohet pushteti, qoftë edhe duke u flijuar në ndonjë formë ajo.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›