Taksa progresive, donkishotizëm i Edi Ramës - synon shuarjen e qindra e mijërave vende pune

Kryeministri Sali Berisha viziton panairin “Punë dhe Studim”: Ekonomia shqiptare gjeneron vende pune dhe rritje ekonomike. “Rama arkitekti i monopoleve në Bashkinë e Tiranës”
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se qeveria e Partisë Demokratike do vazhdojë t’i përmbahet modelit të saj ekonomik me taksa të ulëta, rritje ekonomike dhe nxitjen e punësimit.
Kryeministri garantoi se qeveria do të vazhdojë me taksën e sheshtë, duke e vlerësuar atë si “taksa më e ndershme”, përkundër taksës progresive të propozuar nga opozita, që ka si rezultat përfundimtar “shuarjen nëpërmjet taksave, të qindra e mijërave vendeve të punës”. Berisha e cilësoi programin e socialistëve si manifest të Marksit dhe matematikë kokëposhtë që rrënon ekonominë.
Gjatë vizitës në panairin “Punë dhe Studim” (Work and Study), një iniciativë e përbashkët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, kryeministri, Sali Berisha garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, për të bërë të mundur që gjenerimi i punësimit të jetë një proces i vazhdueshëm.
“Motoja jonë e taksave të ulëta, e shmangies se barrierave burokratike bëri që ekonomia shqiptare të mos bjerë në recesion, ndonëse e rrethuar nga një brez recesioni të thellë, ajo ruajti rritje ekonomike katër herë më të lartë, se mesatarja e rajonit. Por sot, manifesti i Marksit po shëtit nëpër Shqipëri: Taksa progresive. Edi Rama zotohet se sapo të vijë në pushtet do të vendosë taksën e pashpirt të Karl Marksit. Taksë, e cila ka si rezultat përfundimtar shuarjen nëpërmjet taksave, të qindra e mijërave vendeve të punës. Vetëm tre ditë më parë, Kancelarja Angela Merkel, e cila udhëheq daljen e Evropës nga kriza, e cila ka përcaktuar paketën e ashpërsisë e të disiplinës së rreptë fiskale e të shpenzimeve si një nga rrugët kryesore, një javë më parë, të dashur biznesmenë e biznesmenë, do të deklaronte se do t’i Gjermanisë dhe Europës të ndërmarrë ulje të taksave, sepse duhet punësim. Le t’ia lëmë zotit Rama, taksën e Marksit dhe të vazhdojmë me taksën e sheshtë, taksën proporcionale dhe jo taksën mizore progresive. Taksa proporcionale është e ndershme. Secili paguan në proporcionin e vet, njëlloj siç është parashikuar në librat e shenjtë, në kohërat më të hershme dhe që sot ka dhënë efekte të shkëlqyera”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, në vlerësimin e kreut të qeverisë e gjithë përpjekja e kryetarit të PS-së për platformën e tij mbi taksat është një përpjekje ‘donkishoteske’.
Kryeministri tha se, gjatë viteve në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama u shndërrua në arkitekt të monopoleve, i cili 80 për qind të lejeve të lejeve të ndërtimit ia dha Artan Shkrelit dhe Alban Eftimiut, ndërsa rezervoi si instrument të përfitimeve të tij, taksën ndaj ndërtuesve, 20 për qind të të gjithë ndërtimit.
“Unë e dëgjova zotin Rama, i cili u betua para biznesmenëve të partisë se do të luftojë monopolet. Por ai harroi se në krah kishte Shkrelin, i cili kishte marrë 80 përqind të lejeve të ndërtimit, me Eftimin që ndodhej në fund të sallës. Edi Rama betohej kundër monopoleve, në një kohë kur në krye të bashkisë, ai ishte arkitekti i monopoleve në Bashkinë e Tiranës. Ai u zotua se do të vendoste taksën progresive, por tha se do të paguani më pak. Kjo është matematika kokëposhtë e zotit Rama! E vërteta është se kur flet për taksën e korrupsionit është shumë i ndershëm me këtë rast, se ishte taksa e 20 përqindëshit dhe ai e ka të qartë sesi i tatonte ndërtuesit e Tiranës me 20 për qind të të gjithë ndërtimit. Në përpjekjen e tij për të lëvizur sistemin fiskal, ai ka një donkishotizëm të vërtetë”, tha kryeministri.
Ndërsa theksoi se, kjo situatë nuk do përsëritet më, pasi Kryetari i ri i bashkisë së Tiranë, Lulzim Basha në një premtim solemn elektoral, i premtoi biznesit të vogël të Tiranës, heqjen e dhjetëra taksave e tarifave.
“Dhe rezultati është se nga 1 janari 2012 e deri më sot janë krijuar 6 mijë biznese të reja dhe janë punësuar në kryeqytet, 8 mijë qytetarë dhe disa mijëra të tjerë aplikuan për t’u punësuar brenda vitit. Kjo, sepse taksat, të cilat rëndonin mbi biznesin e vogël nga 147 mijë lekë që ishin, zbritën në 64 mijë lekë”, theksoi Berisha.
Ndërkaq, kryeministri Berisha tha ndër të tjera se qeveria i qëndron politikës së taksave të ulëta si rruga më e sigurt për zgjerimin e lirisë së tregut dhe krijimin e vendeve të punës. Sipas kryeministrit, reformat e ndërmarra nga qeveria e djathtë, garantuan jo vetëm punësimin, por shmangën rënien në recension.
“Për një shoqëri të lirë, të bazuar në vlerat e tregut, rezultante e të gjitha rezultanteve është punësimi i qytetarëve. Punësimi në kushtet e tregut të lirë është dëshmia më e sigurt e funksionimit të lirisë së tregut. Punësimi përbën kushtim më themelor që qytetari i këtij vendi të lirë të mund të mbrothësojë, të mund të ndërtojë jetën e tij e të familjes dhe të ardhmen”.
Reformat e qeverisë, tha Berisha, u shndërruan në një mburojë të vërtetë për këtë ekonomi gjatë krizës dhe ajo nuk njohu recesionin.
“Sot është universalisht e njohur se Evropa është e pllakosur nga një krizë e thellë. Krizë shumëplanëshe, në të cilën kanë humbur e humbasin miliona e miliona vende pune. Duhet të jemi të qartë se kjo nuk është një krizë afatshkurtër. Kapërcimi i saj kërkon një seri reformash të gjithanshme, për ta rivendosur ekonominë në performancën e saj. Por e vërteta është se në këto vite krize të thellë ka një habi dhe kjo habi qëndron në faktin se ekonomia shqiptare, një nga ekonomitë e vegla të kontinentit, jo vetëm që nuk njohu recesion, jo vetëm që nuk njohu rritje të papunësisë, por me performancën e saj garantoi një normë rritjeje ekonomike, garantoi punësim në vazhdimësi dhe ulje të qëndrueshme të papunësisë në vend. Përgjigjen më të ndershme e më të drejtë të shkakut të kësaj e dha Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili do të informonte shqiptarët, por edhe qarqet ekonomike evropiane e botërore, se reformat që ndërmori qeveria shqiptare para krizës, u shndërruan në një mburojë të vërtetë për këtë ekonomi gjatë krizës dhe ajo nuk njohu recesionin. Sigurisht, ekonomia shqiptare përballet me vështirësi serioze, të diktuara nga kriza e madhe e euros, nga kriza e vendeve përreth dhe faktorë të tjerë, por e vërteta është se ekonomia shqiptare sërish ruan rritjen ekonomike, sërish gjeneron vende pune dhe masat që ne morëm para krizës janë mbi të gjitha, masa që kanë të bëjnë me uljen e barrës fiskale për biznesin. Ne i ndërmorëm këto masa, në një kohë kur kriza nuk ishte parashikuar, por i ndërmorëm nisur nga bindja se paratë në kontot e biznesmenëve shqiptarë janë më të vlefshme se në kontot e qeverisë dhe administratës. Kur them këtë duhet të mirëkuptohemi, jo se qeveria nuk ka fronte për t’i shpenzuar ato, apo se qeveria nuk ka domosdoshmëri të madhe për para, por, sepse paratë në kontot e biznesmenëve, janë vende të reja pune, janë investime të reja, janë prodhim më i madh, janë zhvillim i mëtejshëm ekonomik”, theksoi ndër të tjera kryeministri Berisha.
Panairi “Punë dhe Studim” organizohet për të tretin vit në këtë format novator që rrit ndërveprimin e midis fuqisë së punës në treg dhe sipërmarrjes, me përfitim të ndërsjellë. Në stendat e tij, kompani të ndryshme kanë ofruar 3 mijë vende pune dhe shumë kompani e sipërmarrje të tjera paraqesin potencialet e tyre për punësim.