E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikë paralajmëronjëse për manipulim

FIER: “Jam këtu në Fier për ngërçin politik për Këshillin e Qarkut të Fierit”, - deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, gjatë takimit me strukturat vendore të këtij qarku. Përfaqësuesi amerikan tha se është për të ardhur keq që Qarku i Fierit nuk funksionon, duke theksuar se zgjedhjet po afrojnë, ndërsa problemi ende qëndron i pazgjidhur... “Kjo është për të ardhur keq, se të përzgjedhurit nga qytetarët nuk kanë mundësi për të kryer funksionet e tyre dhe kjo do të ndikojë në mënyrën se si do të qaseni drejt zgjedhjeve në zgjedhjet e përgjithshme”… Arvizu garantoi se problemin e Qarkut të Fierit do e diskutojë në Tiranë shumë shpejt”…Deklarata e mësipërme, e cila thotë shkoqur se bllokimi i veprimtarisë së të zgjedhurve vendorë ka për të ndikuar direkt “në mënyrën e zgjedhjeve të ardhshme” parlamentare, u bë një ditë para se të zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e cila ishte një tjetër dëshmi e ngërçit dhe e mungesës të dialogut në strukturat e zgjedhura të pushtetit vendor. Mjafton të ndjekësh këtë mbledhje, pa shkuar deri në Fier, që të kuptohet si funksionon pushteti vendor në Shqipëri, sa transparencë dhe dialog ka mes palëve nëpër Këshillat Bashkiakë, pra jo vetëm në Kuvend, por nëpërkudo ku ka të zgjedhur dhe përfaqësues. Kur në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka arbitraritet, arrogancë dhe absurditet të papërfytyrueshëm për një shoqëri normale, edhe pse prania e mediave dhe sytë e ndërkombëtarëve janë më të vëmendshëm, a mund të hamendësohet se si veprohet vallë nëpër Qarqe, Bashki e Komuna periferike, si ndozot në Fier apo në Kaçinar?Një kronikë mjafton për të kuptuar se Këshillat e Bashkive dhe të Komunave në të vërtetë janë kopje të Kuvendit. Modeli “Topalli” tanimë duket si “mënyra më e dobishme” për të drejtuar/sunduar/përdhosur seancat dhe vendimmarrjet. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës janë po aq formale, të deformuara, arrogante, ligj-demokraci-përdhosëse, pa moral e pa pikë dialogu e debati, duke nëpërkëmbur edhe pa shkak, pse jo, edhe duke poshtëruar opozitën, ku e ku më zi se në Topall-Kuvendin e Shqipërisë. Sepse, pas futjes së dy këmbëve në një këpucë nga Brukseli, Kuvendi gjithsesi u detyrua të miratojë disa ligje me 3/5, d.m.th me konsensus dhe zonja “e zheleve” bën si bën dhe i lejon deputetët e opozitës të flasin, ndërsa në Këshillin Bashkiak të Tiranës jo vetëm që nuk ka dialog e marrëveshje, por sherret, grindjet, moskuptimet, dhuna e kartonit, moslejimi dhe mosdëgjimi i kundërshtarit kalojnë çdo cak, aq sa edhe të mos lejohen jo të diskutojnë, por as të hyjnë në mbledhjen e paralajmëruar, në sallën e Këshillit, me ndihmën e Policisë Bashkiake, këshilltarët e opozitës… “Më vjen turp që jam këshilltar, jo vetëm se nuk kam folur asnjëherë, por se e di që kurrë nuk do të më jepet fjala…”, - më tha pardje njëri prej këshilltarëve të Bashkisë së Lul Bashës, ku nuk ka pikë kuptimi të përdoret fjala “opozitë”, pasi aty është pak ta quash atë funksionale.Ndërsa në Fier, ku nuk ushtrohet dot dhuna e kartonëve, se Bashkia është prej një viti e gjysmë e paralizuar, ku jo më vendimmarrja e Këshillit Bashkiak është e paralizuar, por as vendimet e gjykatave nuk pinë më ujë, se ka dy kryetarë paralelë për të njëjtin funksion, një të zgjedhur e një të emëruar nga partia në pushtet, shfaqjet e vulgaritetit dhe të arrogancës janë më të shëmtuara e më të paskrupullta. Po përse “çështja Fier” mbahet si një kazus për opozitën dhe përse Berisha e shpall Fierin si Haxhi Qamili dikur Shijakun (“Sa kam Shijakun, nuk pyes për Evropën!”), pra përse nuk bën asnjë lëshim, duke sakrifikuar me “Fierin” miratimin e ligjeve të cilat janë vënë si kusht nga Brukseli për marrjen e statusit? Përgjigjja është e thjeshtë: Sepse përmbi statusin e Brukselit qëndron fati i zgjedhjeve të vitit 2013, fati i tij politik! ***Dihet se në Fier e majta ka marrë jo vetëm më shumë deputetë, por Kryetar Bashkie ka një burrë të nderuar, z. Baftjar, i cili, me sa di, e ka për të tretën herë që zgjidhet… Fakti që Fieri është një qark i madh për nga rëndësia, pas Tiranës dhe ka votuar në shumicë për të majtën, është arsye qenësore përse situata në Fier duhet përmbysur, bllokuar, ngrirë, paralizuar, para se të vijnë zgjedhjet. Me një fjalë, gjatë katër vjetëve që nuk jemi “ne” pushtet, duhen bllokuar shërbimet për publikun, që votuesit të bëhen sa më të pakënaqur e nesër të votojnë për “ne”… Kjo taktikë përdoret nëpër ato Komuna e Bashki ku e ka shumicën PS-ja, si ka ndodhur jo vetëm në Korçë, në Durrës… Në Tiranë, kur ishte Rama kryetar shërbimet ‘u ngrinë’: Bulevardi qendror “Dëshmorët e Kombit” bashkë me Unazën mbetën gropa të pambyllura për muaj të tërë pas bllokimit të fondeve nga qeveria dhe vendimmarrjes në Këshill, kur LSI bëri aleancë duke krijuar shumicë të re në Këshill bashkiak… Qytetarët nuk kanë përse ta dinë se si dhe përse e kush e bën bllokimin, - këto janë tekefundit hollësi “proceduriale” të cilat “nuk duken” e rrjedhimisht edhe harrohen!, - për ta ka rëndësi fakti që shërbimet janë për faqe të zezë, ndaj me të drejtë faji u hidhet të zgjedhurve lokalë, konkretisht Kryetarëve të Bashkive… A nuk shanin me rrënjë e me degë kalimtarët e shoferët Bashkinë dhe konkretisht Ramën se hiqnin të zitë e ullirit teksa kalonin në sheshin “Skënderbej”? Tani që Tiranën e mori Basha jo vetëm Sheshi “u çlirua” nga rrëmuja e rrëmeti, por edhe Unaza ka filluar, pas çeljes së fondeve nga qeveria qendrore për shpronësimet. Ndërkohë po premtohet edhe një terminal, edhe ringritja e mbikalimit të Zogut të Zi, aty ku u prish, me urdhër nga qeveria qendrore për të bërë të pakënaqur, para zgjedhjeve, banorët e Tiranës… Ky është shembulli: Sa më shumë të bëhen të pakënaqur qytetarët, aq më të sigurtë e ke fitoren nesër! Kjo quhet “politikë”: Të bësh të pamundurën e të pabërën që të dëmtosh, me ç’të mundesh, interesin e popullit, mjaft që të mbetesh, apo ta fitosh nesër pushtetin!Kur bllokimi nuk bëhet dot me ndihmën e kartonëve, me shitblerje këshilltarësh, duhet bërë me çdo mjet, me sherr të pandërprerë, duke dubluar drejtuesit, duke emëruar një tjetër Kryetar Qarku (si në Fier) për të paralizuar vendimmarrjen, duke mbajtur “të ngrira” e të paralizuara Bashkitë dhe Komunat me një luftë të pafund e primitive me prerje fondesh nga qeveria qendrore apo edhe me ‘ndërrim bravash’: Kush e ka vulën, kush e ka çelësin e zyrës, kush është kryetar legjitim?… Është provuar tashmë jo vetëm në Tiranë e në Fier se kjo strategji bllokuese (e mbjelljes së pakënaqësisë) qenkësh më dobiprurëse dhe më “e pastër” për të kryer, pa u ndjerë, që një manipulim të ngjajë sa më “demokratik” e të mos bjerë në sy, (ja pra, ky ishte vullneti i zgjedhësve të lirë!) ndaj dëmtimi i kësollojtë i interesit publik vlen më shumë se futja e duarve në kutitë e votimit, apo edhe se trafikimi i komisionerëve.Aq e mirëndërtuar është kjo strategji manipulimi sa zor të gjesh një Komunë e Bashki që të mos jetë përfshirë nga ethet e bllokimit, të fondeve dhe investimeve, kur të zgjedhurit, e sidomos kryetarët, “nuk janë tanët”… Kur arkitektët e specializuar të kësaj strategjie binden se edhe kjo taktikë nuk mjafton apo se po dështon, qeveria qendrore ndërhyn dhe shkon edhe më përtej, pa përfillur ligjin për autonominë e pushtetit vendor: Bllokon financat e Bashkive e të Komunave, si ka ndodhur këto ditë me Bashkitë, të cilat do të detyrohen të paguajnë, medemek, borxhet e prapambetura ndaj CEZ dhe UKL… Kjo “ndërhyrje” me VKM shkoi deri aty sa në Përmet Kryetari i Bashkisë u detyrua të mbyllë me çelës derën e Bashkisë, se nuk ka fonde as për të paguar nëpunësit e vet. Qytetarët, votuesit e pafajtë, kujt do t’i ankohen, përveçse pushtetit vendor, dhe nesër, në zgjedhjet e vitit 2013, kë do të bëjnë përgjegjës për këtë “ngërç” të tejzgjatur shërbimesh dhe kë do të ndëshkojnë me votë, ngaqë “u ka ardhur shpirti në majë të hundës”? ***Tani që në Tiranë Kryetarin e Bashkisë dhe shumicën e ka PD-ja, me pak vota plus, ato të LSI-së dhe dy nga partia e çamëve, plus edhe një “të konvertuar”, tani që jo vetëm Kryetarin e Këshillit, po edhe atë të Qarkut i ka PD, kur vendimmarrja në Këshill nuk bllokohet dot nga opozita, kur as buxheti dhe as projektet nuk quhet e nevojshme të kalojnë qoftë edhe formalisht në Këshill (si p.sh rikonstruksioni i Sheshit dhe i rrugës te Pallati i Brigadave), duken “të padobishme” dhe bezdisëse diskutimet, konsensusi dhe debati normal, pasi dhuna e kartonit nuk denjon të ketë as arsye, as durim, as sqimën e të dukurit “demokrat”… Kryetari i Këshillit nuk drejton mbledhjet, po dikton, fyen dhe censuron opozitën pa u ndrojtur as nga sytë e kamerave. Kurrë nuk kam parë drejtim të një organi të zgjedhur nga populli me kaq papërgjegjësi, harbutëri dhe mungesë frike apo droje jo vetëm nga ligjet, po edhe nga sytë e publikut.Sa për të dhënë një shembull: Kishte gati tre muaj që nuk zhvillohej mbledhja e Këshillit edhe pse, sipas ligjit, duhet të kryhet së paku një në muaj, përndryshe Këshilli shkrihet automatikisht. Pesë minuta para fillimit, mbledhja pararendëse u anulua me sms, pa dhënë asnjë shpjegim a justifikim pasi mazhorancës i mungonin numrat për të miratuar vendimet që kishte pas paraqitur kryetar Lul Basha… Do të vendosej atë ditë për kazinotë dhe për shtatoren e Zogut, por këshilltarët lësëistë, për arsye që ata i dinë, nuk kishin ardhur, duke hyrë, sigurisht me urdhër nga lart, në një demonstrim muskujsh, më shumë paralajmërues, se sa një tentativë për dalje nga koalicioni… Frika se për mungesë numrash projekt-vendimet do të rrëzoheshin, pasi këshilltarët e opozitës do të votonin kundër, e detyruan Bashën dhe Kosavrastin të mos e zhvillonin mbledhjen e të mbyllnin dyert e Bashkisë me ndihmën e Policisë Bashkiake, që këshilltarët as të mos hynin brenda e të mos e bënin të dukshëm e të prekshëm skandalin për mediat e për qytetarët e Tiranës. Përfytyroni p.sh sikur Topalli të anulojë kësisoj, pesë minuta para fillimit të seancës mbledhjen e Kuvendit me sms e me ndihmën e policisë… E pra, kjo ndodhi në kryeqytet, në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Kur nuk lejohen as të hyjnë në Bashki këshilltarët e zgjedhur, si mund të priten dhe si mund të dëgjohen, - si premton përditë Basha, - qytetarët e zakontë e halleqarë të Tiranës?Në një shoqëri normale shërbimet ndaj qytetarëve janë të verifikueshme nga publiku, ndaj sjellje të tilla të përfaqësuesve do të ishin të papërfytyrueshme, të dënueshme e vetëvrasëse, një kosto e pashlyeshme për zgjedhjet e ardhshme, por tek ne, në të kundërt, strategët e manipulimit mendojnë se po u tregove i sjellshëm, po nuk bllokove, po pranove debat e konsensus me opozitën, po lejove e po pranove që ai/ata që janë në pushtet të kenë sukses, të shërbejnë në dobi të shoqërisë, atëherë provon se je i dobët, i mundur, i destinuar për të mos e marrë kurrë pushtetin, d.m.th faliment. Pikërisht për këtë qëllim kultivohet arroganca e harbutllëku, sipas shembullit që jepet në Kuvend nga Berisha-Topalli, tanimë edhe nga Këshillat Bashkiakë… Për të mbajtur gjallë këtë “frymë” Berisha deklaroi në Kuvend se do të mbajë pranë Ristanin gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Kjo do të thotë se me nyklin e çimentuar: ristan+pon+kosavrast, të shpërblyer, të motivuar, të instaluar tanimë anekënd administratës qendrore e lokale, me mercenarë që nuk kanë nevojë të urdhërohen e as të instruktohen, Berisha është i bindur që do të kryejë manipulimin e radhës, kësaj here jo si hajdut xhepash, duke futur duart nëpër kutitë e votimit, por me “metodën” e bllokimit, diskreditimit, paralizës, amullisë, sulmit, shoqëruar me “ëndrrën evropiane”, kësaj karte bixhozi që e mban dhe e tund si të vetën! Ai ende beson se vetëm kjo mendësi dhe kjo praktikë qeverisëse për manipulim dhe për shpëlarje trush që i ka dhënë, deri tani, rezultat, do të funksionojë! E vërteta është se ka jo pak qytetarë që dyshojnë se edhe zgjedhjet e 2013-tës mund të jenë një tjetër provë suksesi për këtë politikë kaq destruktive…E po ndodhi kjo, nuk na mbetet tjetër veç të recitojmë motivin e Çelentanos në koncertin e tij të fundit: Neve na e kanë vjedhur të ardhmen!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›