E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbja vdes nga ataku në shtëpinë e diplomatit malazez

Miljoka Brajoviç ndërroi jetë dje në mëngjes pasi u godit nga një atak, ndërsa ndihma mjekësore nuk mundi ta shpëtonte



TIRANË- Një turiste Serbe, studente e një diplomati malazez në Shqipëri, mbeti e vdekur dje në mëngjes, në banesën e këtij të fundit, ku kishte ardhur për ta vizituar atë. Miljoka Brajoviç, 46 vjeçe, me kombësi serbe, ndërroi jetë në apartamentin e ish- profesorit dhe mikut të saj, diplomat i ambasadës malazeze në Tiranë.


Ngjarja ndodhi rreth orës 8:30, në rrugën e Elbasanit, ku edhe banonte diplomati i vendit të fqinjit verior të Shqipërisë. Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se vdekja e saj të jetë shkaktuar si pasojë e një ataku kardiak që pësoi gruaja mëngjesin e djeshëm.


Nga burimet e policisë së Tiranës, mësohet se 46 vjeçarja kishte mbërritur në kryeqytetin shqiptar dy ditë më parë, ishte vendosur në shtëpinë e njërit prej diplomatëve të ambasadës malazeze të akredituar në Shqipëri. Emri i diplomatit nuk është bërë i ditur nga burimet e policisë.


Pas një nate në shtëpinë këtij të fundit, gruaja 46- vjeçare nga Beogradi, në mëngjes ishte zgjuar me dhimbje në zemër. Për këtë shkak diplomati, kërkoi ndihmën e urgjencës mjekësore të Tiranës. Menjëherë një autoambulancë e këtij shërbimi mbërriti në adresën e banimit të funksionarit të ambasadës malazeze në rrugën e Elbasanit, për t'i dhënë ndihmën e nevojshme të sëmurës.


Pas vizitës së kryer nga mjekët e urgjencës është konstatuar se gruaja, kishte probleme kardiake dhe menjëherë është vendosur që asaj t'i injektohet një qetësues.Por efekti i mjekimit, nuk mundi të evitonte përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të gruas nga Beogradi e cila rreth orës 8:30 të mëngjesit të djeshëm ndërroi jetë.


Nga këqyrja e trupit të gruas ekspertët e policisë nuk kanë vërejtur shenja dhune apo elementë të tjerë që mund të bënin që policia të kishte dyshime mbi vdekjen e saj. Ndërkaq hetuesit e policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provave materiale disa sende personale të gruas, duke nisur gjithsesi një hetim për të zbardhur shkaqet dhe motivet e mundshme të vdekjes.


Nisur edhe nga fakti se gruaja kishte marrë ndihmën mjekësore, policia ka ngritur si version të ngjarjes se gruaja nga Serbia ka vdekur si pasojë e atakut kardiak. Trupi i pajetë i Brajoviç, u dërgua në morg ku pritet t'i kryhet autopsia mjeko- ligjore, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Brajoviç.


Policia ka marrë në pyetje të njohurin e viktimës, i cili është punonjës i Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë. Ky i fundit ka rrëfyer para oficerëve të policisë për momentet kur e ka gjetur pa jetë mikeshën e tij. Ndërkohë mësohet se viktima ka qenë studente e diplomatit malazez, në banesën e të cilit humbi jetën Miljoka Brajoviç.


Policia ka marrë në pyetje edhe fqinjët e diplomatit, të cilët mësohet të kenë folur për ngjarjen. Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së 46- vjeçares nga Serbia. Pas përfundimit të hetimeve, trupi i pajetë i Miljoka Brajoviç, do të dërgohet në vendlindjen e saj, nëpërmjet Ambasadës së Serbisë në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›