E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesit përdornin emrin e Berluskonit

"Bosi është vëllai i Berluskonit, dhe presim që këtë javë të na xhirojë fondet që të nisim punën"



TIRANE- Dy mashtruesit e arretuar nga sektori i Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit dy ditë më parë, përdornin emrin e vëllait të kryeministrit italian Silvio Berluskoni, për të tërhequr sa më shumë vëmëndjen e njerëzve të ndryshëm në kërkim të një pune me të ardhura të mira.


Një fakt i tillë bëhet i ditur për "Shekullin", nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që kanë hetuar historinë e dy mashtruesve të arrestuar në bashkëpunim me drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit. "Bosi është vëllai i Berluskonit, dhe presim që këtë javë të na xhirojë fondet që të nisim punën, - u thoshnin herë pas here mashtruesit njerëzve të cilëve iu merrnin shuma të majme parash.


Ndërkaq, në lidhje me këtë hetim, Policia e Shtetit pas urdhrit të Prokurorisë ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor të Adriana Urës, 26 vjeçe, nga Shkodra me banim në Tiranë dhe Fatmir Fllagës, 55 vjeç, nga Tirana.


Dy të arrestuarit Adriana Ura, 26 vjeçe dhe Fllaga, që prej dhjetorit të vitit të kaluar dyshohet se ushtronin aktivitet mashtrues në Tiranë, duke rekrutuar njerëz të ndryshëm se do t'i punësonin si agjentë në një organizatë të quajtur herë Europol e herë Interpol, që merrej me kapjen dhe arrestimin e personave të kërkuar prej policisë.


Emrin e vëllait të Silvio Berluskonit, kryeministrit italian, policia e mësoi fillimisht nga disa prej të dëmtuarve të cilët e kishin dëgjuar këtë fakt nga Adriana Ura. Pas marrjes së kallëzimeve të tjera, emri i vëllait të kryeministrit italian si drejtuesi i kësaj organizate ka nisur të përsëritet shpesh prej denoncuesve, sipas të cilëve këtë fakt e kishin dëgjuar nga "drejtoresha" e filialit në Shqipëri.


Kjo e fundit, e cila ishte diplomuar për juridik me korrespondencë, iu prezantohej njerëzve të ndryshëm me funksionin e Drejtoreshës së organizatës policore që vepronte në Itali dhe që po hapte filialin e saj në Shqipëri. "Bosi i organizatës tonë është vëllai i Silvio Berluskonit. Kështu që ju vetëm se duhet të hapni llogari bankare në një bankë, ku do t'iu hidhen pagat.


Por më parë duhet të paguani,- iu thoshte drejtoresha e rreme viktimave të saj. Më pas ajo, është munduar t'i trembë ata duke tek sa iu kërkonte që të mos flisnin me askënd sepse telefonatat e tyre ishin në përgjim. Skema e saj, duket se ka funksionur mjaft mirë tek të dëmtuarit, për shkak edhe të imazhit që ajo jepte, pasi me vete mbante edhe dy persona që hiqeshin si bodigardë të saj, të cilët "paguheshin" prej organizatës së Eurpolit që ajo përfaqësonte.


Kur ka kaluar një farë kohe pasi persona të ndryshëm kishin paguar paratë, me shpresën e gjetjes së një pune kanë nisur të kërkojnë paratë e tyre pasi ende nuk po nisnin dot punë.


Këtë herë mashtrimi ka nisur të trashet akoma më shumë, pasi dy të dyshuarit, Adriana Ura dhe Fatmir Fllaga, iu kanë pohuar se duhej të prisnin vetëm pak ditë sa të xhiroheshin fondet nga Italia dhe të kryhej regjistrimi i organizatës në Gjykatën e Tiranës si subjekt juridik. "Është mirë që ju të sillni edhe njerëz të tjerë të besuar që mund të punojnë për ne dhe sa më shumë njerëz të sillni në detyrë aq më të mirë do të keni ju- mësohet t'iu kishte thënë disa prej të dëmtuarve juristja 25- vjeçare Adriana Ura.


Në këtë mënyrë disa prej të mashtruarve, jo vetëm se kanë rënë vetë në grackë, por se kanë futur edhe të afërmit e tyre, në kurthin e dy të arrestuarve. Dje policia e Tiranës në vijim të këtij hetimi, regjistroi edhe rreth 8 denoncime të tjera për mashtrim në adresë të Urës dhe Fllagës, ku nuk harrohej të përmendej emri i vëllait të kryeministrit italian si drejtuesi i pretenduar i organizatës fantazmë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›