E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët në jug të Ibrit – të humbur për Beogradin?

Analistët

Pjesëmarrja e madhe befasuese e serbëve në jug të lumit të Ibrit në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, pavarësisht nga qëndrimi dhe thirrja e qeverisë serbe se ata nuk duhet të merrnin pjesë në këto zgjedhje, sepse nuk ishin pjekur kushtet përkatëse, ka ngritur në Beograd çështjen shqetësuese nëse pjesëtarët e enklavave serbe në Kosovë po i kthejnë sytë dhe vëmendjen gjithnjë e më shumë nga Prishtina. Sidoqoftë, sa befasues ishte fakti i pjesëmarrjes shumë të madhe të serbëve të jugut të Kosovës në zgjedhje, aq i pritur ishte bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e serbëve që jetojnë në veri të Ibrit. Pyetjes së çfarë e solli këtë ndasi ose përçarje kaq të madhe midis serbëve kosovarë dhe sesa thirrja e qeverisë serbe për bojkotim të zgjedhjeve kontribuojë për krijimin e kësaj situate, përgjigje në radhë të parë duhet t’i japë Beogradi zyrtar. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit, në të njëjtën kohë politolog i njohur serb, Predrag Simiç, i vuri në dukje sot gazetës së përditshme serbe “Politika” se “jemi dëshmitarë të diçkaje që ndoshta dikush edhe e ka planifikuar ose ndoshta ndodhemi në një situatë që është produkt rrethanash të krijuara”. Simiç shpjegon se “formalisht ose faktikisht para syve tanë po merr formë një lloj ndarjeje”, ndërsa pyetjes nëse është qeveria serbe ajo që ka kontribuar më së shumti për krijimin e një situate të tillë, ai iu përgjigj se, në çdo rast, ajo është pasojë ose rezultat i politikës që ajo (qeveria) ka ndjekur deri tani. “Ose pa dashje, ose e tillë ka qenë politika. Megjithatë, duhet të theksohet se Beogradi, gjatë dy viteve të fundit, nuk ka qenë shumë i zëshëm në mbrojtje të interesave të serbëve në jug të lumit të Ibrit”, thekson politologu i lartpërmendur serb. Ish-shefi i Qendrës Koordinuese për Kosovën dhe nënkryetar i qeverisë serbe, Nebojsha Çoviç, nga ana e tij, konsideron se me qëllim po bëhen të gjitha përpjekjet që të promovohet teza se serbët në jug të Ibrit mund të konsiderohen të humbur për Beogradin dhe se ata që pretendojnë këtë, duan të thonë tërthorazi se edhe Kosova duhet të konsiderohet tanimë e humbur për Beogradin. “Sidoqoftë, unë nuk mendoj se këta serbë duhet të konsiderohen të humbur. Mendoj se Beogradi duhet të ndërmarrë nismën, pasi ky është momenti për shanse të reja për Beogradin dhe gjithçka do të varet nga strategjia e re e tij. Rangjel Nojkiç, një nga kandidatët për deputetë të “listës serbe” në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe funksionar i lartë i SPO-së (Lëvizja Serbe e Ripërtëritjes), parti serbe që fitoi rreth 5000 vota të zgjedhësve serbë, megjithëse priste një rezultat më pozitiv, pranon se situata e krijuar midis serbëve, si rezultat i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është e rëndë dhe se Beogradi gjatë këtyre viteve të fundit kishte në dorë të bënte shumë gjëra, por nuk bëri asgjë. “Ekzistojnë disa individë në kreun shtetëror serb që, me paramendim, sollën konfuzion dhe e prishën raportin e forcave politike serbe në këto zgjedhje. Gjatë fushatës paraelektorale, Beogradi kishte njerëzit e vet në terren që luajtën një lojë të dyfishtë, me qëllim që ne të shmangeshim ose të grumbullonim sa më pak vota në zgjedhje, ndërkohë që ishte në interes që serbëve që ata të votonin për ne”, tha Nojkiç.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›