E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, Roma korr një tjetër fitore. Fitore edhe për Fiorentinën

Roma nuk ndalet dhe vazhdon marshimin drejt vendeve të larta të Serisë A, pasi mposht edhe Udinesen 4-2, duke ngushtuar tashmë diferencën me Interin kryesues në vetëm katër pikë, pas barazimit të skuadrës së Mourinjos përballë Palermos së vendit të katërt. Tre gola të Vucinic dhe një i Luka Tonit i kanë dhënë mundësinë Romës të ruajë pozitat në vendin e tretë dhe të shpresojë ende në luftën për titull.

Toni ka hapur serinë e golave në minutën e 15, ndërsa Mirko Vucinic ka dyfishuar shifrat në të 24, por Udinese rikthehet në lojë, me një 11 metërsh të paqenë, që Di Natale e shndërron në gol. Golashenuesi më i mirë i kampionatit barazon edhe rezultatin, pas një pasigurie të mbrojtjes romane. Skuadra e Spalletit reagon dhe me Vucinic shënon me 11 metërsh golin e tretë dhe mbyll llogarinë në minutën e 83, duke entuziazmuar Olimpicon.

Fiton edhe Fiorentina, duke thyer 3-0 Genoa, për të shpresuar për një vend në Europa Ligë sezonin e ardhshëm. Mario Santana kthehet pas dëmtimit me një gol të rëndësishëm. Argjentinasi kalon në avantazh skuadrën e Prandellit në minutën e 5, por shifrat mund të dyfishoheshin në pjesën e parë, kur Pasqual, pas një kombinimi me Montolivon, godet shtyllën.

Alberto Gilardino shënon me 11 metërsh golin e dytë për Fiorentinën në minutën e 73, ndërsa suksesi kompletohet me golin e zëvendësuesit 17 vjecar, Babacar, në golin e parë në Serinë A. Fiorentina, në vendin e 8, lëviz tashmë vetëm tre pikë nga Sampdoria e vendit të 6.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›