Ushtronte dhunë mbi familjen, arrestohet

Daut Laze u arrestua nga policia me akuzën e shkeljes së udhrit të mbrojtjes. Ishte denoncuar për veprime ekstremiste nga i ati
TIRANË- Pas kërcënimeve të vazhdueshme të familjarëve të tij dhe pas shkeljes së urdhrit të mbrojtjes, Policia e kryeqytetit arreston në flagrancë personin që është denoncuar disa raste nga të afërmit e tij për ushtrim dhune.
Bëhet fjalë për Daut Lazen, 33 vjeç, me banim në rrugën "Tre Dëshmorët" në Tiranë, i cili u arrestua nga efektivat e Komisariatit nr. 6 për akuzën e kanosjes dhe veprimeve në kundërshtim me veprimin e gjykatës.
Arrestimi i 33- vjeçarit u bë i ditur dje nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës ku thuhet se Laze ka kërcënuar me jetë në mënyrë të vazhdueshme nënën e tij B. Laze, 59 vjeçe. Ndërkohë, burimet e policisë pohuan dje se i arrestuari ka shkelur edhe urdhrin e mbrojtjes të datës 17 dhjetor 2009 të lëshuar nga Gjykata e Tiranës për bashkëshorten e Daut Lazes.
Bashkëshortja e të ndaluarit E. Laze, 26 vjeç, me banim në Tiranë në muajin dhjetor të vitit 2009 kishte paditur në gjykatë Lazen me pretendimin se ky i fundit ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj saj, duke kërkuar që Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë të lëshonte urdhër për mbrojtjen fizike të 26- vjeçares.
Nëna e të ndaluarit ka akuzuar në dëshminë e saj para trupit gjykues djalin e saj duke thënë që ai është i dhunshëm dhe paraqet vazhdimisht probleme mendore.
Në vendimin e urdhrit të mbrojtjes, lëshuar për bashkëshorten e të arrestuarit thuhet se nga deklarimet e familjarëve të të ndaluarit, Laze është i sëmurë mendor dhe për këtë ai ka dhe një kartele mjekësore ne spital ku është i diagnostikuar për çrregullime mendore. Nga të dhënat e policisë mësohet se në korrik të vitit që kaloi edhe babai i të arrestuarit e kishte denoncuar atë për veprime të dhunshme, duke kërkuar dërgimin e djalit të tij në spital për kurim.
Hysen Laze kishte vendosur që të denonconte të birin me pretendimin se ishte i dhunshëm me pjesëtarët e familjes, dukë përfshirë dhe dy fëmijët e tij. Nga të dhënat që i referohen vendimit të Gjykatës së Tiranës, të datës 17 dhjetor 2009, mësohet se trupi gjykues që ka vendosur të lëshojë urdhrin e mbrojtjes ka arritur në përfundimin se i padituri përbënte kërcënim për pjesëtarët e familjes së tij.
Më parë Laze ishte shoqëruar në polici dhe ishte marrë në pyetje pasi i ati mendonte se veprimet e tij vinin nga fakti që ai falej në xhami dhe se mësonte literaturë fetare.