Serialet turke, pushtojnë Greqinë

“Sila”, “Vajza që kam dashur”, “Sulejmani i Madhërishëm” janë disa nga serialët turq, që kanë pushtuar zemrat e grekëve, kuota e shikueshmërisë për këto serialë është mbi 40 për qind.
Serialet turke janë vërtet një produkt i ri dhe i pëlqyer për tregun grek të mediave. Seriali i parë u transmetua në verë 2005 nga kanali MEGA TV. Ai quhej “Kufiri i dashurisë” dhe transmetohej në orët mbrëmjes.
Në vitin 2010 kanali ANT1-TV filloi transmetimin e një seriali të ri: “1001 net”. Ky ishte edhe momenti i kthesës, shkruan ''Shekulli''. Që nga ajo kohë tre kanalet e mëdha MEGA, ANT1 dhe ALPHA transmetojnë në orët qendrore vetëm serialë turq. Këtu vlen të thuhet edhe se 2010 ishte viti kur në Greqi filloi të ndihej qartë kriza.
Serialët turke megjithatë nuk janë të suksesshëm vetëm në Greqi. Vitin e kaluar firmat turke kanë marrë më shumë se 100 milionë dollarë nga shitja e të drejtave të transmetimit në më shumë se 70 vende.
Por suksesi i tyre nuk është vetëm ekonomik, edhe në aspektin politik ata po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi. Kështu Ministria turke e Kulturës ka në plan të mbështesë financiarisht prodhimin e serialëve televizivë.
Arsyeja është përmirësimi i imazhit të Turqisë në botë.
Aktualisht në televizionin grek transmetohen gjashtë serialë turq. Por jo të gjithë janë të kënaqur nga kjo. Disa aktorë grekë të papunë ankohen se prodhime të tilla me kosto të ulët u marrin atyre punën. Dhe gazeta “Dimokratia” nuk bën më reklamë për “Sulejmanin e Madhërishëm” në faqet e saj, me argumentimin se seriali është një përpjekje për të paraqitur si të padëmshëm pushtimin 400-vjeçar të Greqisë nga osmanët.
Por teleshikuesit grekë nuk shqetësohen dhe serialët turke vazhdojnë të jenë të suksesshëm./Indeksonline/