Sërish bllokadë rrugësh në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se serbët në Zveçan sërish kanë bllokuar rrugët për një kohë të pacaktuar, duke bllokuar kështu kalimin e automjeteve të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX-it.
“Rreth orës 17:50 (të marten), një numër 50 personash, banorë të Zveçanit, të tubuar në fshatin Doljanë, konsiderohet të kenë mbajtur bllokimin e rrugës lokale për qarkullim në drejtim Zveçanit, për një kohë të caktuar, pasi të njëjtit kundërshtonin lejimin e lëvizjes së automjeteve të EULEX-it në atë drejtim”, thuhet në njoftimin për media të Policisë.
“Dy automjete të EULEX-it, janë ndaluar nga grupi i personave, duke detyruar personelin e EULEX-it të kthehen prapa në drejtim të Zubin Potokut, prej nga edhe kishin ardhur”, theksohet në njoftimin e policisë.
Një situatë e ngjashme e vendosjes së bllokadës në rrugë dhe kundërshtimit të lejimit të qarkullimit të veturave të EULEX-it, sipas policisë është regjistruar rreth orës 21:20, në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit.
Serbët ne pjesën veriore të Kosovës që nga vera e vitit të kaluar vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët kryesore në veri, duke vendosur barrikada të ndryshme, për të pamundësuar qarkullimin e automjeteve të institucioneve të Kosovës por edhe të EULEX-it.
Veprimi i tyre bëhet për të kundërshtuar vendosjen e policëve edhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31 në kufi me Serbinë.