Shpallen zgjedhjet, shqiptarët e Luginës së Preshevës të ndarë

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës akoma nuk kanë arritur koncensus të përgjithshëm për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 6 majit, të shpallura dje nga presidenti serb Boris Tadiç.
Në këtë datë përveç zgjedhjeve parlamentare do të mbahen edhe ato lokale, ku do të jetë një garë e ndarë midis partive shqiptare në tre komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Mirëpo, zgjedhjet parlamentare dhe pjesëmarrja në to ka ndarë partitë politike shqiptare. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) si një nga forcat më të mëdha në Preshevë dhe që drejton komunën aktualisht është shprehur kundër pjesëmarrjes dhe daljes së shqiptarëve në këto zgjedhje, ndërsa shumica e partive tjera më të mëdha janë pro pjesëmarrjes.
Kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa ka theksuar se partia që drejton ai nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, në rast se Beogradi do të firmos dhe do të angazhohet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në vendbanimet serbe në Kosovë.
Deputeti aktual nga radhët e PVD-së, Riza Halimi ka bërë të ditur se shumica e spektrit politik shqiptar janë dakorduar për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe se për këtë sipas tij, kanë sjellë vendime edhe këshillat komunale të Preshevës dhe Bujanocit, ndërsa pritet edhe miratimi nga komuna e Medvegjës. Ina.
Edhe kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Jonuz Musliu ka theksuar se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare së bashku me partitë e tjera politike shqiptare të Luginës.
Partitë e Luginës së Preshevës gjatë periudhës së ardhshme pritet të qartësojnë pozicionet e tyre lidhur me zgjedhjet e ardhshme serbe që do të mbahen gjatë dy muajve të ardhshëm.