Sërish kërcënime nga Al-Kaida

Një grup i inteligjencës që monitoron forumet “online” të xhihadistëve, tha se numri dy i Al-Kaidës, Ajman al-Zavahiri, ka kërcënuar me anë të një videoje se do të ndjekë xhihadin e Osama bin Ladenit kundër Perëndimit.
“Ne do të ndjekim xhihadin deri sa t`i dëbojmë pushtuesit e trojeve myslimane”, citon i njëjti burim al-Zavahirin.
Në videon 28-minutëshe, ai thotë se “Shtetet e Bashkuara do të përballen me një rebelim të gjithë botës myslimane”.
Terroristi me prejardhje egjiptiane besohet se fshihet përgjatë kufirit afgano-pakistanez.