Sërish në paqe, por tani me golaDy skuadrat pas barazimit 1-1 ruajtën të njëjtën diferëncë pikësh, me Tiranën tashmë në kuotën e 23 pikëve, një më shumë se Vllaznia e vendit të dytë, por tashmë dy skuadrat kryesuese me meritë të kampionat

Daniel Xhafaj i pati të gjitha mundësitë për t’i dhënë fitoren kryesuesve të kampionatit, por topi i goditur nga vlonjati 31-vjeçar i bardhebluve dhjetë minuta përpara përfundimit, u përplas në shtyllën horizontale, duke mos i prishur shifrat e barabarta 1-1 të kryesfidës së javës së 12-të të Kategorisë Superiore, Tirana-Vllaznia.
Ndarje pikësh, ashtu si në javën e parë të Kampionatit të 70-të Kombëtarar të zhvilluar në “Loro Boriçi”, por takimi në Shkodër përfundoi i bardhë, pa gola. Dy skuadrat ruajtën të njëjtën diferëncë pikësh, me Tiranën tashmë në kuotën e 23 pikëve, një më shumë se Vllaznia e vendit të dytë, por tashmë dy skuadrat kryesuese me meritë të kampionatit, janë edhe më të shkëputura nga Shkumbini i vendit të tretë, që humbi nga ana e tij në Ballsh me Bylisin (2-1).
Me një dekor të denjë për një ndeshje të madhe, por gjithsesi jo me numër shikuesish aq sa parashikohej (rreth 5000 veta në stadium), e në praninë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dy formacionet më të vjetra të vendit tonë dhuruan një ndeshje të gjithën për t’u shijuar nga minuta e parë dhe deri të fërshillima e fundit e gjyqtarit Lorenc Jemini.
Pas dy rasteve flagrante të humbura nga golashënuesi më i mirë sezonal i Vllaznisë, Paulin Dhëmbi (6 gola), Xhejms Boadu i dhuroi edhe avantazhin skuadrës shkodrane. Afrikani i ardhur me huazim nga skuadra turke Hacetepe, i cili nga trajneri Agim Canaj ishte rreshtuar si sulmuesi i vetëm i Vllaznisë, kjo edhe për shkak të mungesës së detyruar të goleadorit Vioresin Sinani, realizoi në minutën e 34-të, duke shtuar adrenalinën te tifozeria kuqeblu, e duke lënë të heshtur atë të 23-herë kampioneve të Shqipërisë.
Për 23-vjeçarin ky ishte goli i tij i parë sezonal me fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që Vllaznia vazhdon të jetë skuadra që ka shënuar më shumë gola në 12 javët e para të sezonit 2008-2009: 18 të tillë.
Me pjesën e parë të humbur në “Qemal Stafa” dhe me një seri të gjatë rezultatesh jo entuziaste, trajneri i Tiranës, kroato-boshnjaku Bllazhe Slishkoviç, e orientoi skudrën e tij tërësisht nga sulmi, por ish-anësori i Partizanit, Gjergji Muzaka, gaboi në disa raste të pastra edhe pse futbollisti i futur në sekondën e fundit të ndeshjes miqësore ndërkombëtare Azerbajxhan-Shqipëri (1-1), e kishte më të lehtë të shënonte.
Loja pati rritëm të lartë në fraksionin e dytë, por goli i 23-herë kampioneve do të vinte vetëm në minutën e 78-të, kur pas një goditje të lirë të ekzekutuar nga bardheblutë, mesfushori shkatërrues Bledar Devolli do të fuste kokën e tij të rrafshtë midis të gjithë lojtarëve për të sjellë barazimin e lehtësuar në bankinë trajnerin Slishkoviç, por dhe në tribunën “VIP” dyshen Halili-Ngjela.
Një gol që prodhoi shumë emocione në fushë, por dhe nxiti dy tifozeritë respektive të shkëmbenin batuta të nxehta e hedhje objektesh, aq sa u desh edhe ndërhyrja e policisë për të vendosur situatën nën kontroll. Ky ishte goli i parë i gjirokastrit 32-vjeçar për këtë sezon dhe i 215-i historik i realizuar nga bardheblutë në 151 përballje me Vllazninë.
Xhafaj, i cili ishte violina e parë e sulmit në mungesë të golashënuesit më të mirë sezonal të Tiranës, prodhoi emocionet e fundit në “Qemal Stafa”, teksa gjyqtari Jemini vulosi barazimin e 35-të midis dy skuadrave prestigjioze shqiptare.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 12
E diel, 23.11.2008
Tirana-Vllaznia 1-1
Shënues: Debolli 78’/ Boadu 34’
Ndeshje: 151
Fitore vendasit: 69
Barazime:35
Fitore miqte:47
Golat:215-177
Faza I: 0-0
Faza II 1-1
Teuta-Dinamo 0-0
Ndeshje: 124
Fitore vendasit: 25
Barazime: 38
Fitore miqte: 5
Golat: 100-184
Faza I: 0-0
Faza II: 0-0
Bylis-Shkumbini 2-1
Shënues: Nevez 28’, Dalipi 78’/ Nora 58’
Ndeshje: 15
Fitore vendasit:6
Barazime:3
Fitore miqte:6
Golat:13-18
Faza I: 1-4
Faza II: 2-1
Flamurtari-Besa 2-0
Shënues: Mate Brajkovic 53’, Caushaj 91’
Ndeshje: 118
Fitore vendasit: 34
Barazime: 31
Fitore miqte: 54
Golat:109-146
Faza I:1-0
Faza II: 2-0
Apolonia-Elbasani 2-2
Shënues: Junior 27’, Dhrami 75’/ Bejzade 41’, Abazaj 51’
Ndeshje:62
Fitore vendasit:24
Barazime:21
Fitore miqte:17
Golat:74-61
Faza I:0-0
Faza II: 2-2
Partizani-Lushnja 0-0
Ndeshje:85
Fitore vendasit:51
Barazime:27
Fitore miqte:7
Golat:155-51
Faza I: 1-0
Faza II: 0-0
Albania-sport.com
E Diele, 23 Nentor 2008