Sërish vrasje në Tiranë, kryeqyteti kthehet në një vatër krimi

Skene vrasje/Arkive
Mëngjesin e sotëm një tjetër vrasje është shënuar në Tiranë. Qyteti që para disa vitesh cilësohej si ndër më të qetët në Shqipëri dhe rajon, tani është kthyer në një vatër krimi, ku vjedhjet e plagosjet nuk përbëjnë më asnjë lajm. Madje edhe vrasjet po bëhen normale.
Mësohet se një person është ekzekutuar me armë zjarri dhe tre të tjerë janë plagosur pas një sherri për motive të dobëta. Viktima është N.Doda, pronar i tavernës San Marco. Burimet thonë se ai ka ndërhyrë për të shuar një sherr të nisur mes klientëve të ulur në tavolina të ndryshme, por ka mbetur vetë viktimë.
Nga të dhënat e para mësohet se dy të plagosur janë në gjendje të rëndë shëndetësore, në rrezik për jetën.
Policia ka shoqëruar gjashtë vajza dhe tre djem për tu pyetur në cilësinë e dëshmitarit.