Ish pronarët: Çmimi i tokës jo kompetencë e qeverisë

Në Komisionin e Ligjeve vazhdon sot diskutimi i pr/ligjit kthimin dhe kompensimin e pronave me grupet e interesit.
Drafti i miratuar nga Ministria e Drejtësisë është kundërshtuar dhe nga shoqatat e ish pronarëve, të cilët kërkuan që përcaktimi i çmimit të tokës të mos jetë kompetencë e kryeministrisë por e Parlamentit.
Ish-pronarët shprehën shqetësimin e tyre se situata e pronave ka marrë pamjen e një krimi kombëtar ndërsa kanë kërkuar nga komisioni hetimin e kësaj situate. Gjithashtu, ish-pronarët e kanë cilësuar projektligjin për kthmin dhe kompensimin e pronave si anti-kushtetues.
Ndërkohë në mbledhjen e kaluar mazhoranca parlamentare i ka kërkuar ministrisë së drejtësisë të rishohë ndryshimet e propozuara në ligjin për kompensimin e pronave, pasi sipas deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj ligji ka mangësi të shumta.
Zoti Alibeaj në cilësinë e relatorit të këtij ligji në komisionin e ligjeve adresoi kritika të forta në drejtim të ekspertëve të ministrisë, pasi sipas tij vlerësimi i pronave nuk duhet të bëhet nga qeveria por nga parlamenti.