E Shtunë, 31 Tetor 2026

Servet Pëllumbi e Namik Dokle, kundër kandidaturës së Nanos për president

Share

Nuk është mirëpritur mes socialistëve një kandidim i mundshëm i Fatos Nanos për postin e presidentit të Republikës. Jo vetëm nga të rinjtë e selisë rozë, por edhe bashkëpuntorët e tij kur ishte drejtues i PS, nuk e shohin të arsyeshme shprehjen e ambicjes së Nanos për presidencën. Refuzimi i parë vjen nga ish kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi në ceremoninë e 75-vjetorit të tij.

Ajo është një dëshirë e tij, po të them të drejtën ata që vetëkandidojnë nuk i kam shumë qejf, tha Servet Pëllumbi.

Edhe një tjetër emër me karrierë të gjatë në PS si Namik Dokle nuk shprehet dakortësinë për emrin e Nanos President. Kur të ketë ditëlindjen ai do të flas, tha Dokle.

Ndërsa Rexhep Mejdani shmang komentet për këtë çështje. Pro Nanos president nuk heziton të shprehet vetëm ish anetari i kryesisë Bardhyl Agasi. Megjithëse i riafruar në strukturat socialiste Agasi thotë se PS duhet ta mbështesë Nanon në ambicjen për presidencën.

Pse të mos e mbështesë. Një kryetar që ka drejtuar këtë parti prej 15 vjetësh e ka transformuar atë. Duke qenë nga një parti ish komuniste në një parti të Internacionales socialiste, tha Bardhyl Agasi.

PS e ka bërë tashmë traditë që themeluesve të saj tu organizojë ditëlindjet. I njohur në familjen e tij politike si profesori i socialistëve, Pëllumbi ka marrë urime nga të gjithë të ftuarit në ceremoninë që u hap me urimin e kryesocialistit Rama./AS

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›