E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli- Becirovic: Thellim të marrëdhënieve tregëtare

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti sot në takim homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Denis Becirovic.

Në fjalën e mbajtur për mediat Topalli tha se, Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike. Më tej ajo theksoi se do t`i nxisim dhe t`i inkurajojmë më tej këto raporte të mira që të kenë një përgjigje pozitive, konkrete në volumin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Sipas saj, në kohën kur bota po përballet me një krizë globale të rëndë, duhet një bashkëpunim më i ngushtë, më efektiv, më efikas dhe me terma konkret në fushën e ekonomisë, në fushën e infrastrukturës, në fushën e turizmit, në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Nga ana e tij Becirovic tha se, “Unë bisedova dhe me Kryeministrin në një takim sot në mëngjes, që të hapim një linjë direkte ajrore nga Sarajeva në Tiranë. Ky do të ishte një kontribut për komunikimin, jo thjesht mes politikanëve dhe biznesmenëve por edhe përsa i përket fushës së turizmit”.

Ai shtoi se në muajt në vijim, do bëhet një prezantim i potencialeve turistike të Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, në interes të personave të angazhuar në fushën e turizmit, qytetarëve dhe biznesmenëve.

Kryeparlamentiari i Bosnje-Hercegovinës theksoi gjithashtu se një urë lidhëse shumë e rëndësishme midis dy vendeve janë dhe minoritetet etnike, nga vendet reciproke, ato shqiptare në Bosnje Hercegovinë dhe ato boshnjake në Shqipëri, ku kërkoi që minoriteti boshnjak të njihet zyrtarisht ashtu sikurse ështgë njohur në Bosnje Hercegovinë minoriteti shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›