E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serwer: Vendimi i GJND-së, shpresa e fundit për Beogradin

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është shpresa e madhe e fundit e Beogradit, ka vlerësuar zv/drejtori i Institutit Amerikan për Paqe, Daniel Serwer.

Duke e përshkruar gjendjen në veri të Kosovës, Serwer ka thënë se Serbia po përpiqet ta mbajë kontrollin mbi këtë rajon dhe, sipas tij, duket se ka sukses në atë drejtim, pasi qaskush nga bashkësia ndërkombëtare nuk po i kundërvihet.

"Mendoj se Beogradi është shumë i vendosur për të mbajtur, de facto, kontrollin mbi veriun e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare sigurisht se do të mbetet pranë qëndrimit të deritashëm, pasi nuk dëshiron probleme, nuk dëshiron të ushqejë pakënaqësinë e shqiptarëve në Kosovë dhe në rajonin e Preshevës, dhe as të serbëve", ka thënë ai.

Sidoqoftë, Serwer është i mendimit se, qëllimi përfundimtar i Beogradit është ndarja e kësaj pjese të Kosovës.

Lidhur me vendimin që pritet të marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, Serwer ka thënë se, përkundër faktit që vendimi (mendimi) i GJND-së nuk është obligues, ai do të ndikojë në njohjet e mëtejme të Kosovës - dhe për Beogradin ky vendim "është shpresa e madhe e fundit".

Ai thotë se nëse ku vendim do të jetë në favor të Serbisë, atëherë do të ketë ngecje në njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa do të ndodhë e kundërta - nëse vendimi do të ishte në favor të Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›