E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesioni i ri, asnjë inisiativë për "zgjedhjet"

Edhe sesioni i ri parlamentar nuk do të sjellë asnjë zhvillim pozitiv përsa i përket zgjidhjes së situatës politike dhe kërkesave të opozitës për të hetuar zgjedhjet parlamentare. Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare ka miratuar kalendarin 3 javor të punimeve ku nuk është përfshirë ndonjë iniciativë për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet. Në parim përfaqësuesit e opozitës dhe të maxhorancës kanë rënë dakord për të ngritur strukturën që do të hetojë zgjedhjet, por përsa kohë që nuk ka një kërkesë zyrtare të firmosur nga deputetët kalendari i punimeve të parlamentit nuk mund të parashikojë asgjë.
Janë mbartur nga sesioni i kaluar 12 projektligje të cilat janë përfshirë në punën e parlamentit gjatë muajit shtator, ndër të cilat edhe ndryshimet e shumëpërfolura në ligjin për SHISH. Por në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, maxhoranca ka sqaruar opozitën se nuk ka qëllim që ta votojë dhe mbartja e ligjit është një rutinë në bazë të rregullores.
Ndërkaq pjesa tjetër e ligjeve të mbartura nga sesioni i kaluar kanë të bëjnë më së shumtit me ligje që kërkojne 84 vota e që presin një klimë më të qetë mes maxhorancës dhe opozitës për t'u miratuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›