Sesioni i ri parlamentar, BE: Forcat politike të punojnë së bashku për axhendën e integrimit në Bashkimin Evropian

Në nisje të sesionit të ri parlamentar për vitin 2024, Bashkimi Evropian, nëpërmjet ambasadorit të saj në Shqipëri, Silvio Gonzato ka bërë thirrje që të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Në një postim në median sociale X, ambasadori Gonzato nënvizon se zbatimi i reformave të nevojshme për anëtarësimin kërkojnë një parlament funksional.
“Falë procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, Shqipëria ka tani një pasqyrë të qartë të reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Ashtu si i thashë ministres Elisa Spiropali gjatë takimit tonë të parë [të premten], zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë funksonimin efektiv të parlamentit dhe një bashkëpunim të mirë midis të gjitha institucioneve. Të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke reflektuar vullnetin e fortë të qytetarëve shqiptarë për t’u anëtarësuar në BE”, shkruan ambasadori në mesazhin e tij në nisje të sesionit të ri parlamentar.
/rtsh.al/