E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezon i dështuar, ja revolucioni kuqeblu

Vllaznia/ Klubi po mendon për vitin e ri, projektohen ndryshime të mëdha.

Pritet një trajner tjetër, shumë largime dhe rikthime.

Humbja me Flamurtarin dhe për më tepër eliminimi nga Kupa e Shqipërisë, që ishte mundësia e fundit për shkodranët për t’u përfaqësuar në Kupat e Europës, ka bërë që ky sezon të jetë një nga më të dështuarit për këtë ekip në 10 vitet e fundit. Pavarësisht se kampionati ende nuk është mbyllur, tani askush nuk beson më tek kjo Vllazni dhe te ideja se ajo mund të bëjë mrekullinë. Dështimi i plotë shihet më tepër si një faj kompleks, ndaj drejtuesit, përveç frikës se skuadra mund të rrezikojë edhe zonën e plejaut, po shikojnë edhe mundësitë për ndërtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm, duke programuar ndryshime të mëdha. Pavarësisht se për të ardhmen e trajnerit Rudi Vata do flitet muajin e ardhshëm, mësohet se ndryshimet do nisin pikërisht nga tekniku. Vata ka deklaruar se do ta shihte edhe vetë qëndrimin e tij pranë skuadrës shkodrane, por tani edhe drejtuesit e klubit duken të bindur se largimi i parë mund të nisë nga numri një i ekipit. Një tjetër fakt interesant që mësohet, ka të bëjë me futbollistët e ardhur gjatë merkatos së janarit, të cilët direkt apo indirekt janë afrime të vullnetshme, apo edhe të imponuara të teknikut Vata. Këta lojtarë, kryesisht të huaj, mund të mos jenë në planet e shkodranëve për sezonin e ardhshëm futbollistik. Futbollistë të tillë si Moreno, Vuk apo edhe Brnoviç e Jablan, kontratat e të cilëve skadojnë në fund të këtij sezoni, sipas të gjitha gjasave nuk do të rinovojnë. Po ashtu edhe Brnoviç. Gjithsesi, nuk duket se revolucioni do të mbarojë me kaq, pasi Petroviç pret të marrë valixhet sapo të mbarojë kampionati, e gjithashtu edhe Popoviç nuk duket shumë larg një gjëje të tillë. Ndërkohë vetëm dy janë emrat të cilët momentalisht janë të konfirmuar për të qenë sezonin e ardhshëm pjesë e shkodranëve: portieri Vujadinoviç dhe mbrojtësi Smajli, ndërsa shumë pranë rinovimit mund të jenë Hajdari e Gocaj. Ndërkohë drejtuesit po mendojnë për më tej, ku nuk mungojnë emrat konkretë. Do të niset nga shkodranët Lika e Bala, që luajnë për Tiranën, po ashtu nuk mund të përjashtohet as Vucaj që luan aktualisht me Laçin, por edhe Shtubina që është pjesë e Flamurtarit. Ndërsa nuk përjashtohet një rikthim i shkodranëve të sulmit, Sukaj e Vajushi, të cilët kanë lëvizur dhe mund të bëjnë përsëri hapa pas për rikthim. Mësohet se edhe një ish-lojtar i Vllaznisë, si Igor Radusinoviç, që aktualisht luan për Rudarin në Mal të Zi, mund të afrohet sërish në skuadër, pasi para katër viteve ka qenë pjesë e saj.

Tirana, në pritje të rrogave
Ishte premtuar që pagat do të jepeshin të martën, por nuk u dhanë, e njëjta gjë ndodhi edhe të mërkurën, ndërsa të enjten nuk u mbyll asgjë për shkak të pushimit kombëtar. Mirëpo, burime pranë klubit bëjnë me dije se skuadra do të likuidohet 100 për qind sot, duke qenë se rrogat tashmë kanë kaluar në bankë, por thjesht janë vonuar si pasojë e disa procedurave burokratike.

Ja kush mund të largohet
Rudi Vata
Sergi Moreno
Gordan Vuk
Ivan Jablan
Gavrilo Petroviç
Popoviç
Nenad Brnoviç

Ja kush mund të afrohet
Gilman Lika
Bekim Bala
Ndriçim Shtubina
Erjon Vucaj
Xhevair Sukaj
Armando Vajushi
Igor Radusinoviç

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›