E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri aksidente me 12 persona të plagosur

LEZHE- DURRES – Tri aksidente me 12 të plagosur janë shënuar dje në qarkun e Lezhës e të Durrësit. Në ngjarjen e parë dy makina janë përplasur mes tyre, nga e cila janë lënduar dy vetë. Aksidenti ndodhi në superstradën Lezhë-Shkodër, kur automjeti tip “Alfa Romeo” dhe një “Audi” janë përplasur mes tyre, në afërsi të kryqëzimit me rrugën dytësore të Kallmetit. Nga të dhënat e para rezulton se një parakalim i gabuar i makinës tip “Audi” ka shkaktuar përplasjen. Drejtuesi i “Alfa Romeos” është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak. Pak minuta më vonë, një makinë me 5 persona në bord përfundoi në një kanal në anë të rrugës. Ngjarja ndodhi në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit. Si rrjedhojë e goditjes së makinës me targa të Krujës me pjesën e betonit mbetën të plagosur udhëtarët. Ndërkaq, në afërsi të Sukthit në Durrës, u përfshinë në aksident dy mjete, një treçikël dhe një Ford me targa të huaja. Të aksidentuarit janë shtetasit Luan Bodlli 34 vjeç, Ismail Qazimi 72 vjeç dhe 16-vjeçari me ineciale C.F., nga fshati Kullë si dhe bashkëshortët nga Tirana Agim dhe Këze Arifi, 46 dhe 36 vjeç. Mjekët thanë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›