E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sezoni turistik, lirim i plazheve nga Ura e Dajlanit, deri tek Përroi i Agait

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Taskforca Ndërinstitucionale për sezonin turistik veror 2024, me urdhër të prefektit të qarkut Durrës, ushtroi dje kontroll në gjirin e Durrësit nga Ura e Dajlanit, deri tek Përroi i Agait.

Ky kontroll kishte si qëllim lirimin e plazheve publike të zaptuara në mënyrë abuzive nga sipërmarrjet private dhe qytetarë të ndryshëm, si dhe verifikimin e masave të sigurisë dhe elementë të tjerë të rëndësishëm, për një sezon të mbarë dhe të sigurt, duke bërë të mundur respektimin e të gjitha standardeve dhe rregullave të përcaktuara në ligj.

Pjesë e grupit të Taskforcës ishin Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit, të cilët liruan të gjitha hapësirat e zëna të plazheve publike si nga sipërmarrjet private, ashtu edhe nga qytetarët, të cilët me vendosjen e çadrave dhe kyçjen e tyre në këto hapësira që i përkasin të gjithëve, shndërrohen në një problem madhor për të tjerë qytetarë, të cilët kërkojnë të pushojnë në plazhet publike.

Në përfundim të aksionit iu la detyrë subjekteve dhe qytetarëve abuzues të mos i cenojnë më hapësirat publike, pasi në të kundërt do të përballen me të gjithë fuqinë e ligjit.

Zbatimi i masave të sigurisë dhe respektimi i hapësirave për plazhe publike siguron që turistë të huaj dhe vendas të shijojnë qetësisht ditët e tyre të pushimit në bregdetin tonë.

1 nga 5

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›