Ndoshta nuk e meritojmë atë që duam
Majlinda Bushja
Pasdite shëtisja rrugëve të Tiranës , pranë shkollës Vasil Shanto, duke u penguar nëpër arkat e domateve që fshatari kishte stisur në trotuar për ti shitur, pak më tutje po e njëjta situatë e cila dukej sikur skishte fund. Dhe vargu i tregtarëve ambulantë është i gjatë.E gjithë kjo zallamahi e përditshme ofron për konsumatorin produkte të pasigurta, ofron për turistët e huaj një pamje, ku Shqipëria e mbi të gjitha kryeqyteti ynë lë shumë të dëshiruar… me drita që ikin e vijnë sipas dëshirës , me ujë që kurrë nuk mund të ketë 24 orë, me plehra të hedhura kuturu, me rrugë jo të denja për një kryeqytet, e me gjithfarëlloj produktesh që shiten ku e si të munden. Ata që kujdesen për shëndetin e konsumatorit të krijojnë idenë sikur mbyllin sytë me atë cka ndodh çdo ditë. Mediat shkruajnë dhe rishkruajnë po të njëjtën histori, veç ndryshimi i situatës duket sikur ka ndaluar ne kohë. Faji vazhdon të mbetet jetim, fshatari do të vazhdojë ti vendosë frutat dhe perimet e tij atje ku shkeli këpuca ime dje që më parë kish shkuar në tualet. Ndërkohë, qëllimi ynë madhor është të marrim statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa Tirana nuk ngjan hiç me simotrat e saj evropiane përkrah të cilave duam të renditemi me dinjitet. Ne kërkojmë atë që duam, por nuk e meritojmë, ndoshta është diçka tjetër ajo që duam.