E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida elektorale dhe programi politik, vendosin delegatët

24/10/2011  Zgjedhjet e 22 tetorit, ja misioni i kongresit të ri të Partisë Socialiste

Sfida e ardhshme elektorale si dhe zgjedhjet e duhura politike për sektorë të rëndësishëm, si: ekonom, arsim, shëndetësi janë çështjet kryesore për të cilat do të vendosë kongresi i ri i Partisë Socialiste. Kështu, pas votimit më 22 tetor, anëtarësia e Partisë Socialiste zgjodhi përfaqësuesit e saj në forumin më të lartë vendimmarrës të kësaj partie, duke u lënë në dorë dhe përcaktimin e kursit të ri politik të kampit opozitar.

Kongresi

Më 5 nëntor Partia Socialiste do të thërrasë kongresin e saj për të vijuar më tej zgjedhjet në forumet drejtuese të partisë. Por delegatët e kongresit do të miratojnë edhe programin e ri të PS-së dhe ndryshimet e reja në statut. Kështu, nisur nga vetë rëndësia që ka përbërja e këtij programi, kongresi i 5 nëntorit do të thotë fjalën e fundit mbi mënyrën se si PS-ja do të ballafaqohet me elektoratin nga viti që vjen e deri në sfidën elektorale të vitit 2013. Deputeti socialist Blendi Klosi, njëkohësisht dhe sekretar organizativ, duke u ndalur po në mision e forumit më të lartë vendimmarrës të PS-së, vuri në dukje se “më 5 nëntor kongresi do të bëjë zgjedhjet e duhura politike për Shqipërinë, zgjedhjen e duhur politike për ndryshimin radikal të sistemit të taksimit në Shqipëri, për ndryshimin radikal të sistemit shëndetësor në Shqipëri, për ndryshimin radikal të sistemit arsimor në Shqipëri”. Gjithashtu, sipas tij, kongresi do të bëjë zgjedhjen e duhur politike për ndryshimin radikal të politikës në fshatin shqiptar, e me radhë për të pastruar Shqipërinë nga plehrat, nga korrupsioni, nga fukarallëku. “Kongresi i sapozgjedhur ka një mandat të fortë për të bërë zgjedhjet e duhura për një politikë të re të ndryshimit. Ka mbështetjen e plotë të anëtarësisë dhe të Shqipërisë progresiste. Ka barrën e rëndë të vënies së mandatit të vet në shërbim të gjithë shqiptarëve”, - nënvizoi Klosi lidhur me një çështje të tillë.

Deklarata

Deputeti i PS-së Blendi Klosi në deklaratën e tij iu referua dhe një tjetër çështjeje sa u takon zhvillimeve të brendshme në këtë parti. Kësisoj, ndalur në zërat kundër linjës zyrtare të PS-së, Klosi zgjodhi t’i shigjetojë ato pikërisht përmes mënyrës se si u votua më 22 tetor për zgjedhjen e delegatëve të kongresit. “Kush ankohet për mungesë lirie në PS, nuk di ç’të bëjë me lirinë. Kush do ta përdorë lirinë për të bërë diçka të mirë për këtë vend, ja ku e ka PS-në. Të lirë. Demokratike. Të bashkuar. Të vetmen parti ku liria punon dhe garanton çdo anëtarë në lirinë e vet”, - u shpreh Klosi gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht, po në vijim të kësaj çështje, deputeti socialist evidentoi një tjetër çështje të axhendës së punës së këtij kongresi. “Kongresi i 5 nëntorit do të jetë kongresi i bashkimit të madh të socialistëve e progresistëve shqiptarë, me një vizion të ri evropian për Shqipërinë, rreth një programi rimëkëmbje e pastrimi të plotë të Shqipërisë. Në mbështetje të palëkundur të interesave kombëtare e qytetare të shqiptarëve, të marrë peng nga pushteti i korrupsionit e i plehrave, që po e mbysin sot Shqipërinë”, - vlerësoi Klosi.

Erion Braçe në “Facebook”

“Të pështysh lart, bie gjithnjë poshtë. E di që ka njerëz që besojnë se të pështysh lart në shenjë, ngjit. Dua t’i siguroj se në çdo rast pështyma bie poshtë. Më kot përpiqesh t’i bësh dredha! Të gjithë ata që dje e kanë treguar PS-në si PD-në, kanë gabuar. Nuk dua të jap argumente për një parti të vdekur, ku rron veç Familja. As dua të them që ndër ne nuk ka probleme. Ka plot., por varet. Varet se për çfarë angazhohesh. Të pështysh, nuk vlen. Ndaj BOOOOLL!”

Blendi Klosi në deklaratë

“Kongresi i 5 nëntorit do të jetë kongresi i bashkimit të madh të socialistëve e progresistëve shqiptarë me një vizion të ri evropian për Shqipërinë. Rreth një programi rimëkëmbje e pastrimi të plotë të Shqipërisë. Kush ankohet për mungesë lirie në PS, nuk di ç’të bëjë me lirinë. Kush do ta përdorë lirinë për të bërë diçka të mirë për këtë vend, ja ku e ka PS-në. Të lirë. Demokratike. Të bashkuar. Të vetmen parti ku liria punon dhe garanton çdo anëtarë në lirinë e vet.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›