E Martë, 3 Nëntor 2026

Sfidat e fëmijëve me aftësi ndryshe, Fatma Spahiu: Shteti t’i ndihmojë financiarisht, t’u japë zanate

Drejtuesja ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Integrimin e njerëzve me nevoja të veçanta, Fatma Spahiu ka deklaruar në emisionin “Mirëmengjesi Shqipëri” në RTSH 1, se shteti duhet të ndihmojë financiarisht këtë kategori.

Duke folur konkretisht për sfidat e fëmijëve me aftësi ndryshe, Spahiu tha se ndihma që jep sot shteti shqiptar kundrejt kësaj kategorie ka një vlerë monetare shumë të vogël që nuk përballon kostot e shërbimit as për qytetet e vogla.

“Sot ndihma që jep shteti ndaj personave që kanë çrregullime, është një vlerë monetare shumë e vogël.

Nuk mund të përballojë koston e një shërbimi në Elbasan apo qytete të tjera të vogla, jo më në Tiranë.

Në Tiranë shërbimet ofrohen nga qendra të specializuara dhe sigurisht që kushtojnë. Këtu do të ishte e mira e ndërhyrjes së shtetit”, u shpreh Spahiu. 

Sipas Spahiut, institucionet shtetërore duhet të kenë nën kujdes edhe fëmijët mbi moshën 15 vjeç për t’iu mundësuar atyre një profesion.

“Në momentin që bëhet vlerësimi i një fëmije, vlera monetare e dhënë në kesh të përkthehej në shërbime. Ajo që mua më dhemb sot, duhet që t’u përkushtohet më shumë vëmendje fëmijëve në moshën mbi 15 vjeç.

Nëse është bërë punë shumë e mirë nga 2 deri në 15, për fëmijët mbi moshën 15 vjeç kemi një vakum të plotë, edhe për pjesën e profesionistëve të trajnuar edhe për pjesën e mësuesve të trajnuar sepse kjo fazë është për këtë fëmijë, që duhet t’u mësojmë një profesion. Pjesa e dhënies së një profesioni është një domosdoshmëri”, theksoi Spahiu.

Pjesë nga biseda në studio:

Fatma Spahiu: Inciativa për të hapur një qendër ka qenë ime bijë, mungesa e shërbimeve për atë target grup të moshës që kishte ime në bijë në moshën 7-vjeçare. E drejtoj atë qendër duke pasur kujdes jo vetëm për fëmijën tim por edhe për të gjithë fëmijët e tjerë që mund të kenë mundësi të bëjnë atë që unë bëj. Ose për shkak të stigmës që mund të fshihen dhe nuk e dërgojnë fëmijën për t’u trajtuar. Unë jam një zë i fuqishëm i prindërve në Elbasan.

Jonida Mustafaraj, drejtuese didaktike: Përveçse se duhet të merresh me trajtimin  dhe ecurisë së fëmijës duhet të punoje patjetër edhe me prindërit, për t’i përgatitur që ta pranonin problematikën. Gjëja më e rëndësishme kur kemi të bëjmë me një diagnozë të çregullimit të autizmit është fakti që pavarësisht se sa mund të punojnë profesionistët janë prindërit ata që duhen të punojnë maksimalisht gjatë gjithë kohës në shtëpi, që të kenë një plan dhe disa objektiva për të arritur.

Si e përjetojnë prindërit të pasurit një fëmijë me nevoja të veçanta?

Fatma Spahiu: Të ndryshon e gjithë rrjedha e jetës, të duket sikur nuk do të jetë një vijimësi normale e një familje normale. Bota duhet parë me sytë e këtyre fëmijëve që falin dashuri pa kushte dhe unë them që çdo fëmijë me aftësi të ndryshme është bekim për prindërit sepse japin dhe marrin dashuri pa kushte. Këto familje nuk duhen parë me syrin kritik apo për të ardhur keq.

Ndodh një gjë e tillë?

Fatma Spahiu: Po patjetër që ndodh. Sigurisht që është sfidë. Nuk duhen parë me sytë e të ardhurit keq, por me sytë e të ndihmuarit sepse në fakt themi shoqëria shqiptare shikohet se duhet t’i faturohet shtetit për ndihmë, ndërkohë që ndihma vjen edhe nga individi.

Po me prindërit si përballohet kjo sfidë?

Fatma Spahiu: Është sfidë më vete. Mundohem që t’u japim kurajë dhe t’i shohim gjërat ndryshe. Sot mundësitë që fëmija të trajtohet dhe të marrë shërbimet që mund të ndikojnë sado pak në jetën e tij mund të ndryshojnë. Fëmijëve duhet t’u japim ndihmën në kohën e duhur.

A ju ka rastisur që prindërit që të mos e pranojë këtë realitet 100 për qind duke e penalizuar edhe fëmijën duke mos e ndihmuar atë në qasjen tuaj për përkudesje?  

Jonida Mustafaraj, drejtuese didaktike: Ka shumë raste të tilla dhe ato sinjalizohen nga edukatoret, nisur nga shkaqe psikologjike të prindërve që nuk duan ta pranojnë që diçka nuk shkon te fëmija nuk e referojnë shpeshherë vetë rastin. Para 15 vitesh fëmijët vinin për vlerësim në moshën 6 dhe 7 vjeçare, pra në një moshë të madhe, por edhe ndërhyrja ishte e vështirë. Ajo që të bën përshtypje tani lidhet me faktin që vijnë pa mbushur 2 vjeç, sepse prindërit i sjellin fëmijët sapo shohin që diçka nuk shkon.

A ka mbështetje për integrimin e njerëzve me nevoja të veçanta?

Jonida Mustafaraj, drejtuese didaktike: Të gjithë tani e njohin spektrin e autizmit. Fëmijët që kanë këtë diagnozë janë më të pranuar. Ka edhe raste kur mësuesit mund t’i refuzojnë këtë fëmijë ose shokët e klasës, por kur në klasë është një fëmijë me spektër të autizmit, është që të gjithë e mbajnë afër dhe përpiqen ta integrojnë në festat e tyre apo lojërat në shkollë.

Fatma Spahiu: Është futur mësuesi mbështetës. Sot ka një ndryshim. Është i pamjaftueshëm sepse duhet ta ketë mësuesin mbështetës gjatë gjithë kohën e qëndrimit në shkollë. Një mësues mund të ketë një apo tre fëmijë. Sot ndihma që jep shteti ndaj personave që kanë çrregullime, është një vlerë monetare shumë e vogël. Nuk mund të përballojë koston e një shërbimi në Elbasan apo qytete të tjera të vogla, jo më në Tiranë. Në Tiranë shërbimet ofrohen nga qendra të specializuara dhe sigurisht që kushtojnë. Këtu do të ishte e mira e ndërhyrjes së shtetit. Në momentin që bëhet vlerësimi i një fëmije, vlera monetare e dhënë në kesh të përkthehej në shërbime. Ajo që mua më dhemb sot, duhet që t’u përkushtohet më shumë vëmendje fëmijëve në moshën mbi 15 vjeç. Nëse është bërë punë shumë e mirë nga 2 deri në 15, për fëmijët mbi moshën 15 vjeç kemi një vakum të plotë, edhe për pjesën e profesionistëve të trajnuar edhe për pjesën e mësuesve të trajnuar sepse kjo fazë është për këtë fëmijë, që duhet t’u mësojmë një profesion. Pjesa e dhënies së një profesioni është një domosdoshmëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›