Dominon Bylisi, fiton Kamza, barazon Lushnja
Bylisi rikonfirmon rolin e padronit absolut të Kategorisë së Parë, ndërsa Kamza arrin një fitore të çmuar në Bilisht në javën e 25 të Kategorisë së Parë. Ballshiotët dominojnë me fitoren e 13 në po aq ndeshje të zhvilluara në shtëpi (100 për qind të pikëve), dhe kur kanë mbetur edhe pesë javë për t’u luajtur ndodhet vetëm një fitore larg titullit. Kamza, me fitoren 2-1 ndaj Bilishtit, u ngjit në kuotën e 47 pikëve, dy më shumë se Partizani i vendit të pestë, por të kuqtë kanë për të zhvilluar të martën ndeshjen me Elbasanin e vendit të dytë. Lushnja hodhi një tjetër hap fals në transfertë, kur pas barazimit 0-0 me Burrelin dy javë më parë, po me këtë rezultat barazoi në Gramsh. Luftëtari dhe Besëlidhja nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola në Gjirokastër. Burreli nuk e fal Memaliajn në shtëpi, duke fituar 1-0 me golin e kapitenit Dritan Gjoka nga pika e bardhë në minutën e 32. Sopoti fitoi 1-0 me Adën e Velipojës, që pas kësaj humbjeje, e 10 në transfertë, i dha fund ëndrrës për një vend në katërshen më të mirë të së Parës. Skrapari fitoi 2-1 me Pogradecin në shtëpi. Ndërsa të martën në kryeqytet do të luhet supersfida mes Partizanit dhe Elbasanit.
#