Shqipëria, përparim mbresëlënës tek treguesit e antikorrupsionit
ersioni i përditësuar i këtij viti i Treguesve Botërorë të Qeverisjes (TBQ), përpiluar nga studiuesit e Bankës Botërore tregon se qeveritë e shumë vendeve në zhvillim po bëjnë hapa të rëndësishëm përpara për sa i përket Kontrollit të Korrupsionit, madje disa prej tyre po arrijnë performancën e vendeve të pasura në përmasat/tiparet e përgjithshme të qeverisjes. Sipas treguesve, këtë vit Shqipëria ka bërë përmirësime të vazhdueshme në të gjashtë treguesit e qeverisjes, me arritje më të mëdha në Cilësinë Rregullatore dhe Lirinë e Fjalës dhe Përgjegjshmërinë, ku Shqipëria tashmë renditet në 50 % e vendeve te para ose më sipër. Përmirësimi më i madh është parë tek kontrolli i Korrupsionit ku Shqipëria kapërcen nga shkalla e 20 përqindëshit tek ai i 37-të për vitet 2006 deri 2007, por në këtë pikë renditet poshtë vendeve fqinje dhe mesatares rajonale. Gjithashtu, disi e përmirësuar vitin e kaluar, Shqipëria vazhdon të performojë jo mjaftueshëm tek treguesi i Shtetit të së Drejtës, një tendencë kjo që nga viti 1998. 1. Liria e Fjalës dhe Përgjegjshmëria. Që prej vitit 1998, kur Shqipëria u rendit tek 37% (i fundit), vendi ka bërë përmirësime të konsiderueshme deri në vitin 2007 me një ekuivalent të ri të renditjes tek 50 përqindshi i parë ose edhe më shumë, nga 212 vende në total. Gjithsesi, Shqipëria mbetet disi më mbrapa sesa vendet fqinje, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, nën mesataren rajonale. 2. Stabiliteti Politik. Në vitin 2007, Shqipëria ka bërë përmirësime në treguesin e Stabilitetit Politik, duke i lënë mbrapa tashmë 34.6% të vendeve të tjera. Në krahasim me vendet fqinje, vetëm Mali i Zi ka shënuar një tregues më të lartë se Shqipëria në Stabilitetin Politik, ndërsa vende të tjera si Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia kanë mbetur mbrapa. Megjithatë, Shqipëria mbetet shumë më mbrapa sesa mesatarja rajonale e Evropës Lindore dhe Baltikut. 3. Efikasiteti i Qeverisë. Deri tani, Shqipëria ka përjetuar përmirësime graduale në këtë tregues dhe këtë vit ka arritur tek përqindëshi i 43-të, megjithëse mbetet mbrapa mesatares rajonale të Evropës Lindore dhe Balltikut. Duhet theksuar se ndërkohë që Shqipëria ka patur përmirësime në këtë tregues, rajoni më i gjerë i Evropës dhe Azisë Qëndore në një mesatare të përgjithshme ka shënuar regres këtë vit. Megjithatë, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi janë të gjitha vende që po performojnë disi më mirë sesa Shqipëria, ndërsa Bosnjë-Hercegovina mbetet mbrapa. 4. Cilësia Rregullatore. Ka patur një përmirësim të ndjeshëm në treguesin e Cilësisë Rregullatore krahasimisht me vitin e kaluar, një tregues ky ku Shqipëria vazhdon të renditet tek më të mirët, në 56% e parë, midis gjithë treguesve dhe duke kryesuar të gjitha vendet fqinje, duke përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. Mesatarja rajonale e Evropës Lindore dhe Balltikut është në 68 % e parë. 5. Shteti i së Drejtës. Shqipëria vazhdon të mos performojë mirë tek Shteti i së Drejtës. Ky tregues vazhdon të jetë treguesi më i keq i performancës dhe relativisht ato pak përmirësime nuk e kanë ndihmuar dot Shqipërinë t’i largohet zonës së “kuqe” (nga 0-25 % i fundit te listës). Në vitin 2007, vetëm 28% e vendeve u vlerësuan më keq. Shqipëria mbetet shumë mbrapa mesatares së Evropës Lindore dhe Balltikut (54%) për këtë kategori. Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, të gjitha kanë performuar shumë më mirë se Shqipëria në këtë kategori, e cila mbetet gjithashtu mbrapa mesatares së vendeve me të Ardhura te Ulta dhe Mesatare. 6. Kontrolli i Korrupsionit. Përmirësimi më i madh është parë tek Kontrolli i Korrupsionit, ku Shqipëria nga viti 2006 në vitin 2007 kërcen nga 20% tek 37%. Megjithatë, pavarësisht nga ky përmirësim, Shqipëria renditet më poshtë se mesatarja e Evropës dhe Azisë Qendrore, mesatarja e Evropës Lindore dhe Balltikut (57%) dhe ajo e vendeve fqinje. Shqipëria vazhdon të performojë shumë më keq sesa Serbia, Bosnjë-Herceovina dhe Mali i Zi.