Sfidat reale, të zgjedhjeve në Kosovë
Me 15 nëntor, Kosova voton për qeverisjen lokale. Qytetarët e saj, janë ftuar të zgjedhin kryetarët dhe këshilltarët e komunave, i pari votim që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Çdo proces zgjedhor ka rëndësinë e vet, por ky i fundit në Kosovë merr një rëndësi dhe vëmendje të veçantë për disa arsye.
E para, zgjedhjet janë një test i rëndësishëm politik, mbi aftësinë e shtetit më të ri evropian në organizimin e proceseve zgjedhore. Shpallja e pavarësisë dhe e krijimit të shtetit është një gjë, por jetësimi real i shtetit, është një gjë tjetër. Në zgjedhje u investua Presidenti, Parlamenti, qeveria, komisioni zgjedhor, policia, ushtria, njësitë vendore, shoqëria civile, media, etj, pra të gjitha institucionet publike e jopublike të shtetit të ri. Presidenti dhe kryeministri, i pari sipas kushtetutës, mbi partitë politike dhe i dyti, sipas modelit të paraardhësit të tij, asnjanës në fushatë, ishin pjesë e fushatës politike, investime direkte dhe për pasojë, përfitues direkt të suksesit apo përgjegjësive që burojnë prej këtyre zgjedhjeve. Për këtë arsye, këto zgjedhje, kanë rastin të tregojnë, nëse institucionet kushtetuese të Kosovës, funksionojnë në parametrat e shtetit të së drejtës, nëse qytetarët do të kenë besim në institucionet e shtetit të ri, dhe nëse vota e vullneti i tyre, do të respektohet me integritetin e duhur.
E dyta, zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për vetë qytetarët e Kosovës. Qytetarët, kanë rastin të dëshmojë besimin dhe mbështetjen e tyre, për normat demokratike, institucionin e zgjedhjeve dhe me to, të bëhen pjesëmarrës aktiv të procesit të forcimit të demokracisë përfaqësuese në Kosovë. Dy, nga tre brezat e qytetarëve - votues, kanë provuar periudhën e pushtimit serb, të shtetit antiqytetar dhe antishqiptar, si dhe periudhën tjetër të tranzicionit, gjatë të cilës pushteti formal ishte në dorën e shqiptarëve, kurse pushteti real, në dorën e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Autoritetet ushtarake ndërkombëtare, nuk kanë kërkuar masa apo trupa shtesë, një sinjal i stabilitetit dhe normalitetit zgjedhor, gjithsesi çdokush pret, që dita-ditës kompetencat e sigurisë dhe të mbrojtjes, të kalojnë realisht, në dorën e vetë kosovarëve. Me 15 nëntor, mund të tejkalohen përfundimisht këto përvoja e kujtime, për ti lënë vendin marrëdhënieve të reja midis shtetasve dhe shtetit të ri evropian të Kosovës.
E treta, zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për sistemin politik dhe vetë koalicionin qeverisës në Kosovë. Në dallim, nga shumica e vendeve të rajonit në Kosovë, qeveria përbëhet nga një koalicion i madh midis PDK e LDK, kurse opozita nga 2-3 parti të vogla, por me pretendime të mëdha. Koalicioni i madh, mund të jetë funksional në nivele të larta të politikës, siç janë reformat e mëdha kushtetuese, përfaqësimi ndërkombëtar, stabiliteti i brendshëm, etj, por në nivelin e poshtëm të politikës, në marrëdhëniet qytetarë - politikë, qytetarë - shtet, qytetarë - parti politike, koalicioni i madh mund të jetë joproduktiv. Zgjedhjet lokale janë një test, për të parë, nëse sistemi 4-5 partiak parlamentar reflektohet edhe në qeverisjen vendore, dhe më vete, nëse koalicioni i madh, ka mbështetjen e duhur tek qytetarët e Kosovës. Nevoja për mobilizim anëtarësh dhe tërheqje të vëmendjes elektorale, detyroi dy partitë e mëdha të "prishin" konsensusin politik, duke kaluar shpesh në akuza e kundërakuza, sidomos në Prishtinë. Kjo ishte e pritshme, por gjithsesi Prishtina, mbetet një eksperiment midis testit të madh të 15 nëntorit, nëse kryeqyteti mbështet konsensusin apo rivalitetin midis partive të mëdha.
E katërta, zgjedhjet janë një test i rëndësishëm edhe për vetë partitë politike dhe kandidatët konkurrues. Zgjedhjet lokale mbeten gjithnjë lokale, dhe dytësore, në raport me zgjedhjet politike parlamentare, ndaj pritej që në këto zgjedhje sjellja e partive dhe kandidatëve të ishte shumë më civile dhe produktive. Disa incidente me armë janë dëshmi të izoluara të ekzistencës akoma të "kokave të nxehta", dikur të nevojshme, por që prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, të dëmshme, penguese dhe kërcënuese për demokracinë, imazhin, dhe vetë të ardhmen e Kosovës. Nga ana tjetër, retorika elektorale ishte në tërësi, imitim i retorikës që partitë do të duhej të kishin në zgjedhje parlamentare. Kështu, në përpjekje për të imituar modelet bashkëkohore të fushatave, sidomos modelin amerikan të fushatës, kandidatët sollën risi, por edhe situata komike. Skena të fushatës përmes internetit në një qytet ku nuk është garantuar ende as energjia elektrike, apo premtimet për disa mijëra vende për parkim, qendra tregtare, shkolla e kopshte, janë episode që duhen harruar më 15 nëntor. Prishtina dhe Kosova, sidomos në qeverisjen lokale, ka probleme të mëdha që kërkojnë zgjidhje, por ndërkohë pushteti vendor në Prishtinë dhe në Kosovë ka pak kompetenca dhe akoma më pak mjete financiare në dispozicion për zgjidhjen e këtyre problemeve. Nevoja për reformimin e sistemit qendër - periferi, qeverisje qëndrore - qeverisje lokale mund të kishte qenë një temë e mirë e fushatës, por që çuditërisht u refuzua nga të gjitha aktorët e përfshirë në fushatë.
E fundit, por me një rëndësi gjithashtu të madhe, është trajtimi, dhe vendi që zuri në proces problemi i pakicave kombëtare, dhe zonave ende konfliktuale. Kështu, ndërsa politika në Prishtinë, debaton mbi numrin e parkingjeve për makina, disa kilomentra më lart, në Mitrovicë, qyteti vijon të jetë i ndarë, dhe temë kryesore e debatit është premtimi për kthimin e normalitetit në qytet e bashkë me të, vendosjes në të gjithë zonën të autoritetit shtetëror e ligjor të Kosovës. Të njëjtën peshë specifike, merr edhe problemi i pakicës serbe në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje lokale, edhe në rast të përqindjes minimale, do të jetë një tregues i njohjes reale të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Beogradi mbetet një pengesë e madhe, por gjithsesi në zgjedhje nuk munguan zëra të përfaqësuesve serbë, që mbajtën qëndrime të ndryshme nga ai zyrtar në Beograd.
Për të gjithë këto arsye, zgjedhjet lokale të 15 nëntorit nuk kanë vlerë vetëm lokale, ato kanë vlera të larta politike, janë një test i Kosovës dhe kosovarëve, për mënyrën sesi ata kanë vendosur të jetojnë e drejtojnë, në shtetin më të ri demokratik të Evropës. Më shumë sesa emrat e kryetarëve të rinj të komunave, me 15 nëntor kuriozitet e pritje, shënon numri i atyre që do të marrin pjesë në zgjedhje, mënyra sesi do të administrohet vota e qytetarëve, dhe së fundi, përgjegjësia me të cilën do të reagojnë qytetarë e politikanë ndaj një procesi, simbol të shtetit të së drejtës dhe demokracisë.