Sot, Kosova në test
Kosova po zhvillon sot, të parat zgjedhje të administruara tërësisht prej institucioneve të saj. Këto zgjedhje përbëjnë një test shumë të rëndësishëm, për të treguar se sa janë të afta institucionet e Kosovës, për të prodhuar një proces zgjedhor të standardeve më të përparuara demokratike. Deri tani, ndonëse i kritikuar nga opozita, procesi ka qenë i pranueshëm në raport me standardet. Ka qenë fushata zgjedhore, më moderne, e zhvilluar deri tani në Kosovë. Mbetet të shihet, kështu, standardi i votimit dhe numërimit të votave, për të dhënë një konkluzion përfundimtar, se sa është i aftë shteti më i ri në Evropë, për të zhvilluar në mënyrë të pavarur, zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në Kosovë, pra, po testohet sot A-ja e demokracisë, zgjedhjet. Varësisht nga rezultati i këtij testimi, do të varen shumë procese të tjera, që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në strukturat e BE-së, më së pari me raportet e saj me lëvizjen e lirë.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve, edhe pse vendore, në aspektin e tij proporcional, do të ravijëzojë spektrin e politikës kosovare. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ky spektër pati një ndryshim të madh. Përveç tri partive kryesore PDK, LDK dhe AAK, u shtuan furishëm edhe 2 faktorë të tjerë AKR e biznesmenit të njohur Behxhet Pacolli dhe LDD e Nexhat Dacit, që lindi si pasojë e ndarjes së LDK-s. (Në këtë transformim të spektrit dështoi formacioni reformist ORA, atëherë i Veton Surroit, pasi nuk arriti të kalonte pragun 5 % të futjes në parlament). Secila prej partive të sotme relevante, ka të paktën 10 deputetë në parlamentin prej 100 deputetësh (plus 20 vende që janë të rezervuara për pakicat), të fituar nga konkurimi më vete, në sistemin proporcional, preferencial, kombëtar.
Ndryshe nga dy partitë e mëdha PDK dhe LDK (e deri diku edhe AKR) që kanë shtrirje harmonike në gjithë territorin e Kosovës, dy partitë e tjera, kanë influenca të forta rajonale të cilat vijnë për shkak të origjinës së lidërve. AAK e Ramush Haradinajt, ka influenca të fuqishme në perëndim të Kosovës (komunat Pejë, Gjakovë e Deçan), ku pretendon të fitojë në këto zgjedhje, ndërsa LDD e Nexhat Dacit, ka influenca në komunat e Ferizajt e të Gjilanit. E veçanta e këtyre zgjedhjeve në raport me aleancat, është se, AKR dhe LDD janë paraqitur me kandidatë të përbashkët për kryetarë komunash, duke pretenduar rritjen e peshës specifike të tyre. Ajo, që mbetet të shihet, është, se sa do të arrijnë formacionet politike të ruajnë kuotat, cilët do të rriten, e cilat do të rrudhen, si dhe a do të ketë ndryshime të rëndësishme në spektrin e politikës kosovare. Zgjedhjet vendore, do të jenë një orientim paraprak për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Me interes pritet të shihet, edhe, pjesëmarrja e pakicës serbe në këto zgjedhje. Faktorët kryesore të politikës serbe, që prej deklarimit të pavarësisë, i kanë bojkotuar të gjitha proceset zgjedhore dhe të gjitha institucionet në Kosovë. Beogradi zyrtar, ka nxitur dhe inkurajuar bojkotin e zgjedhjeve dhe institucioneve, për të shmangur sa të jetë e mundur, njohjen e pavarësisë së saj. Megjithatë, një pjesë e vogël komuniteti serb është integruar, duke treguar se nuk ka ndonjë mendim absolut brenda komunitetit serb kosovar, lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Rivalët kryesorë në këto zgjedhje, janë dy partitë që bashkëqeverisin vendin PDK dhe LDK. Kjo ka bërë, që palët të rezervohen në akuzat reciproke ndaj njëra-tjetrës. Gara më e fortë, po zhvillohet për kryeqytetin e Prishtinës, i cili ka afro 25% të popullsisë, ku kandidojnë: I. Mustafa, kryetari aktual përfaqësues i LDK, dhe sfidanti i tij, A. Saliaj, përfaqësues i PDK. Falë reputacionit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, në kryeqytetin kosovar LDK-ja ka një bazë shumë të fortë. Ajo, i ka fituar të gjitha garat e zhvilluara deri tani. Por, diferencat në kryeqytet kanë ardhur duke u ngushtuar, për shkak të popullimit të tij me banorë të ardhur gradualisht prej periferive, pas çlirimit të Kosovës. Rivaliteti është shumë i fortë edhe në Prizren, në komunën e dytë më të madhe në vend, ku pas tre mandateve radhazi të LDK-s, së fundi, ka qeverisur PDK-ja e Hashim Thaçit. I njëjti rivalitet LDK-PDK, zhvillohet edhe për Mitrovicën. Në komunat, Gjakovë dhe Pejë, rivaliteti zhvillohet ndërmjet LDK dhe AAK së Ramush Haradinajt, ndërsa në Ferizaj e Gjilan, përveç dy partive kryesore në pushtet, rivalizon edhe koalicioni AKR&LDD (Pacolli-Daci).
Ndarë sipas zonave, krahinave, përveç komunave kryesore të cituara më sipër, mund të thuhet se PDK ruan influencën e saj në zonën e Drenicës, në pjesën qendrore të Kosovës, që përfshijnë komunat dytësore Skënderaj, Drenas, Malishevë, Shtimje, me tej në Kaçanik etj. LDK, ruan influencë të fortë në zonën e Llapit dhe pjesërisht në zonën e Pashtrikut, që përfshijnë komunat dytësore Besjanë, Kastriot, e më poshtë në Rahovec,Therandë etj. AAK, e ka influencën e saj të ravijëzuar në zonën e Dukagjinit, në perëndim të Kosovës, me qendër në komunën e Deçanit, ndërsa Koalicioni AKR-LDD ka influenca të pjesshme në zonën e Nerodimjes, dhe atë të Anamoravës. Nga, ky konfiguracion i spektrit të politikës kosovare, pritet që një pjesë e madhe e kryetarëve të komunave, të dalin në raundin e dytë të votimit.
Ajo çka është më e rëndësishme, nga sot, që votohet, e deri në përfundim të procesit, ka të bëjë, me administrimin korrekt dhe pranimin e zgjedhjeve nga të gjitha palët. Nëse, Kosova do ta kalojë këtë test, ajo ka dhënë, provën më të mirë shtetformuese. Nëse do të ndodhë ndryshe, problemeve të mëdha që ka Kosova, do ti shtohet edhe një problem tjetër, vështirësisht i kapërcyeshëm, ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky apel, është në radhë të parë për politikën kosovare, e pastaj, për çdo qytetar të Kosovës, që i mendon zgjedhjet, përtej interesit të tij.