E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidon veten me Ionesco’n

Antidrama e njohur e autorit Eugene Ionesco, "Këngëtarja Tullace", konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd, por edhe një vepër tejet e vështirë për inskenim. Megjithatë, aktori Diar Xani e përzgjodhi pikërisht këtë vepër si temë diplome për regji.

Dihet se kur ky tekst u inskenua për herë të parë, më 1948, në Paris, ishin shitur vetëm shtatë bileta. Natyrisht, shfaqja u anulua. Vetëm pas katër viteve, më 1952, shfaqja u kthye përsëri në repertor – dhe pati sukses. Që nga ajo kohë, shfaqja nuk u largua më nga repertorët e teatrove botërorë. Në Teatrin parisien të Komedisë ajo ka mbi 50 vjet që është pjesë e repertorit.

Duke marrë parasysh rrezikun e vënies në skenë të një teksti absurd si “Këngëtarja Tullace”, dhe qasjen e vështirë që ka ky tekst, inskenimi i saj njëmend paraqet një sfidë serioze. Teksti sjell komiken me ngjarjen që ndodh, respektivisht që nuk ndodhë fare. Dmth se shfaqja, me kotësinë e saj, e shtynë publikun që të mendojë për po atë kotësi, gjegjësisht, që të merret me pyetjet se përse po ndodh e gjithë kjo gjë për asgjë. Pra, e gjithë ngjarja, i gjithë teksti dhe e tërë ajo që ndodh në skenë është vetëm një absurd, i cili prodhon diçka të pakuptimtë. Si rrjedhojë, të kuptuarit e këtij teksti është pak a shumë i vështirë, sepse e gjithë kjo ndodhi/zhurmë del se bëhet për asgjë.

Absurde është edhe vetë jeta e personazheve të saj, sepse atyre sikur iu ka humbur ‘dheu nën këmbë’. Rrjedhimisht, raporti i këtyre personazheve është shumë larg realitetit, ngase nuk dinë si të merren vesh mes vete. Edhe pse mendojnë se dinë shumë mirë të komunikojnë me njëri-tjetrin, personazhet në fakt nuk e bëjnë këtë; personazhet nuk janë të lumtura edhe pse mendojnë se janë; çiftet nuk janë të dashuruara, edhe pse mendojnë se janë...

“Arsyeja pse e zgjodha këtë tekst është e thjesht, dhe e shkurtër. Më pëlqeu teksti dhe vendosa që ta inskenoj”, thotë aktori i ri Diar Xani, i cili me këtë shfaqje të Ionesco’s synon diplomimin si regjisor në Universitetin Dodona.

Për më tepër, ky lloj absurditeti Xanit iu duk i përshtatshëm që ta lidhë me shqiptarët dhe Shqipërinë.

“Duke i menduar gjithë këto absurde, m’u duk se shqiptari ka një lidhshmëri me këtë lloj absurdi. Më konkretisht, në kohën e diktaturës gjysmëshekullore komuniste, edhe pse shqiptarëve u thuhej ‘ju jeni të lirë’, dhe se Shqipëria ishte e lirë, në fakt ishte e kundërta. Kështu që, edhe pse teksti është fare pak tradicional dhe, paralelisht, një temë e hapur botërore, më shtyri që të mendoja seriozisht për një inskenim ndryshe të tij”, sqaron Xani.

Për shkak të vetë absurditetit të tij, Xani mendon se teksti i Ionesco’s ofron mundësi të shumta për kreativitet, për një krijim të denjë regjisorial dhe për një lojë ndryshe të aktorëve.

“Është një tekst të cilin mund ta inskenosh në një milion mënyra e variante. Por, për mua, më e keqja ishte se më është dashur që të përzgjidhja vetëm një përcaktim, dhe një stil. Personalisht, këtë vepër nuk pata rast ta shoh të inskenuar në asnjë teatër te ne, edhe pse kam dëgjuar se në Kosovë ajo ishte inskenuar vetëm njëherë, nga i ndjeri Faruk Begolli dhe studentët e tij, dhe se një pjesë e veprës është edhe pjesë e ‘Çiftit Martin’, të profesorit Bekim Lumi”, pohon Xani.

Xani po ashtu tregon se, në variantin e tij të skenografisë dhe kostumografisë dominojnë ngjyrat bardh e zi, të cilat, siç thotë ai, i përshtaten zhanrit edhe lojës së aktorëve. Edhe vetë aktorët, ndërkaq, janë të veshur me po këto dy ngjyra – bardh e zi.

“Kjo është bërë qëllimisht, për shkak se e bardha dhe e zeza të kujtojnë vitet 1920, përveç personazhit të zjarrfikësit, i cili ka kostume ngjyrë të kuqe”, thotë Xani, i citi thotë se ndjehet krenar që provoi të inskenojë një tekst jo të rëndomtë, me qëllim që të mësojë se “si punohet e veprohet në teatrin absurd”.

“E falënderoj Ministrinë e Kulturës, që më mbështeti financiarisht në këtë projekt. Kohëve të fundit, Ministria sikur e ka kuptuar se përveç projekteve tjera duhet t’i ndihmojë edhe studentët, të cilët gjithsesi kanë nevojë për ndihmë derisa përpiqen të krijojnë diçka të bukur”, përfundon Xani.

Në shfaqjen e Xanit luajnë aktorët e rinj Armend Ismajli, Xhejlane Tërbunja,

Alban Zogaj, Florentina Ademi, Gani Rrahmani dhe Semira Latifi. Kostumografinë e ka bërë Gresa Zajmi, ndërsa skenografinë dhe përzgjedhjen e muzikës vetë Xani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›