E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvogëlohet Superliga

Vetëm edhe në edicionin e ardhshëm, i cili nis më 18 gusht, në Superligën e Kosovës do të garojnë 12 ekipe. Kjo pasi FFK-ja e ka udhëzuar Këshillin Profesional të saj ta hartojë një sistem të ri garues, sipas të cilit në edicionin 2013/2014 në elitë do të marrin pjesë më pak ekipe, me qëllim që të rritet cilësia. Po ashtu, FFK-ja ka paralajmëruar reforma të mëdha para fillimit të kampionatit të ri.

Vetëm edhe në kampionatin e ardhshëm, respektivisht në edicionin 2012/2013, i cili nis më 18 gusht, në Superligën e Kosovës do të garojnë dymbëdhjetë skuadra.

Ndërsa prej edicionit 2013/2014 do të zvogëlohet numri i skuadrave që do të garojnë në elitën e futbollit kosovar. Kështu ka vendosur të enjten Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Por, ky organ i FFK-së ende nuk e ka caktuar numrin se sa ekipe do të garojnë në Superligë në edicionin 2013/2014.

“Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi dhe analizoi sistemin ekzistues të garave dhe me qëllim të rritjes së cilësisë, rregullsisë dhe shikueshmërisë, në kampionatin 2013/2014 të merret vendim për ndryshimin e sistemit të garave, duke bërë zvogëlimin e Superligës dhe strukturimin edhe të ligave tjera. Ndaj, për këtë qëllim, KE obligon Këshillin Profesional të hartojë një sistem të garave që u përgjigjet të gjithë faktorëve relevantë për një sistem të garave në Kosovë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga FFK-ja, në të cilën saktësohet se edicionin i ri 2012/2013 do të fillojë më 18 gusht, derisa ndeshja e Superkupës së Kosovës mes Prishtinës e Trepçës ’89 do të luhet më 11 gusht në Pejë. Për sezonin e ri, skuadrat do të mund të përforcohen me lojtarë prej 2 korrikut deri më 18 gusht.

Ndërkohë, FFK-ja ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të rrepta që kampionati i ri të ketë rrjedhojë sa më të mirë që është e mundshme. “Komiteti Ekzekutiv para fillimit të edicionit të ri do të bëjë reforma të thella në të gjitha segmentet. Do bëjë rikonstruimin e të gjitha komisioneve dhe organeve relevante, listave të gjyqtarëve, kontrollorëve dhe vëzhguesve. Do të punojë edhe në përmirësimin e infrastrukturës në bashkëpunim me klubet, komunat dhe Ministrinë e Sporteve. Do të ashpërsojë edhe kriteret për fushat e futbollit”, thuhet në njoftim.

FFK-ja, e kënaqur me edicionin e përfunduar

Rrjedha e garave kampionale të edicionit të porsapërfunduar është vlerësuar relativisht e mirë nga ana e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të cilin e gëzon fakti se në kampionatin e fundit shikueshmëria në Superligë ishte më e madhe sesa në edicionin e kaluar.

“Ky organ konstatoi se me gjithë dobësitë e lëshimet e natyrave të ndryshme, garat patën një rrjedhë relativisht të mirë. U zhvilluan 998 ndeshje, ku vetëm 47 ndeshje patën organizim të dobët dhe të tjerat ishin në nivelin e duhur. Shikueshmëria ka një ngritje sidomos në Superliga, por kjo nuk ka ndodh edhe në ligat tjera”, thuhet në njoftim, ku potencohet se edhe akterët e ndeshjeve, respektivisht futbollistët, ishin shumë më të disiplinuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›