E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët në Siri përdoren si "mburojë njerëzore"

Kombet e Bashkuara e kanë vendosur regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad në listën e qeverive që rekrutojnë, vrasin dhe torturojnë fëmijët në konfliktet e armatosura.

Një raport i ri i OKB-së tha se sirianët jo më të mëdhenj se nëntë vjeç janë vrarë e gjymtuar, janë arrestuar e ndaluar në mënyrë arbitrare dhe kanë qenë viktima të torturës e dhunës seksuale.

Raporti bazohet në intervistat e vëzhguesve të OKB-së më fëmijët dhe ish-ushtarët në Siri.

Në të thuhet se fëmijët janë vendosur në tanket ushtarake të Sirisë, për t’u përdorur si mburojë njerëzore në betejat kundër forcave opozitare.

Në raport thuhet se fëmijët me plagë kanë përshkruar forma të ndryshme të torturave.

Raporti kritikoi forcat opozitare se po i përdorin fëmijët që të bartin ujë dhe pajisje mjekësore, në vendet ku po zhvillohen betejat.

Në anën tjetër, i dërguari ndërkombëtar Kofi Annan tha se është “thellë i shqetësuar” për rritjen e dhunës në Siri.

Annan ka përmendur raportet se forcat qeveritare po përdorin armë të rënda për të sulmuar pozicionet e opozitës dhe për ngujimin e civilëve në qytetet e rrethuara.

Annan ka negociuar armëpushimin, i cili duket se është shkelur me gjithë praninë e vëzhguesve të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›