E Diel, 1 Nëntor 2026

Shaban Memia: E shkarkova Shehun se mashtroi, kontrolli i Berishës, i mirëpritur

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia hedh poshtë akuzat për luftë klanesh. “Nuk ka asnjë grup kontrolli kundër meje, por ndaj institucionit dhe është më se normale”

Intervistoi: Habjon Hasani

Një ditë pasi urdhëroi shkarkimin e drejtorit të Tiranës, Ferdinand Shehu për mashtrim me CV-në e tij, Shaban Memia hedh poshtë akuzat se ALUIZNI ka luftë klanesh. Në një intervistë telefonike për “MAPO”-n, Memia thotë se Shehu u shkarkua vetëm për arsyen se kishte mashtruar institucionin. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t komenton kontrollin e urdhëruar nga Berisha me fjalët: “Vetëm në tirani, kontrollet janë të pakonceptueshme, ndërsa në demokraci janë normale”.

Zoti Memia, ju urdhëruat shkarkimin e zotit Ferdinand Shehu për shkak të punës së tij si hetues në komunizëm, ndërkohë që ai ka lënë të kuptohet se shkarkimi i tij ishte inskenim e se në ALUIZN ka luftë klanesh. Në të vërtetë, ç’po ndodh në institucionin që ju drejtoni?

Unë nuk merrem me deklarata e as me komente. Zotërinj, unë ju kam nisur në mënyrë publike dhe juve si media, CV-në e tij dhe dokumentin ku figuronte se në vitin ‘90 kishte punuar në hetuesinë e Vlorës. A e patë se ky dokument nuk figuronte në CV-në e tij? Pra, thjesht e shkurt, zotëria në mënyrë institucionale ka mashtruar institucionin. Zotëria është mashtrues, ndaj ka ardhur dhe urdhri i shkarkimit. Arsye tjetër nuk ka.

Zoti Memia, kohët e fundit në institucionin që ju drejtoni ka ardhur një grup special kontrolli, i dërguar nga zoti Berisha lidhur me aktivitetin e ALUIZNI-t. Si e konsideroni këtë kontroll dhe, a ka lidhje me shkarkimin e zotit Shehu?

Së pari njëherë, nuk ka asnjë grup pune të ngritur ndaj meje, por ndaj institucionit. Së dyti, dua t’u them se vetëm në tirani janë të pakonceptueshme hetimet apo kontrollet, në një shtet me institucione demokratike kontrollet janë më se normale dhe janë të mirëpritura.

A ka lidhje zoti Shehu me këto kontrolle?

Edhe njëherë po ju përsëris se nuk duhet të lidhni një histori të shkarkimit nga detyra për mashtrim me CV-në, me lloj-lloj situatash, për të cilat unë nuk mbaj përgjegjësi. Po jua përsëris, zoti Shehu është shkarkuar pasi ju ka mashtruar dhe juve si media; ju janë vënë në dispozicion dokumentet ku kjo gjë duket qartësisht. Së dyti, kam ndërmarrë një veprim institucional, zoti Shehu mund të bëjë ç’të dojë, të hetojë të denoncojë, po të dojë le të bëhet dhe president i Republikës, unë s’kam asnjë problem me këtë gjë. Që të jemi të qartë deri në fund, shkarkimi i tij ka lidhje vetëm me mashtrimin e tij, kaq është historia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›