Qeveria miraton udhëzimin për tapitë e pallateve
Udhëzimi “Për procedurat e regjistrimit të objekteve të ndërtuara me leje ndërtimi, të prapambetura, në Bashkinë e Tiranës, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së radhës, vë në jetë premtimin e kreut aktual të Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, të cilin e bëri gjatë fushatës elektorale për dhënien e tapive për 400 pallate në Tiranë, duke çliruar në këtë mënyrë ngërçin që ekziston prej kohësh në tregun e ndërtimit. Rregullorja do të bëjë të mundur që të pajisen me leje shfrytëzimi pallate, ndërtime, të cilat, në total, vetëm me detyrimet e tyre pritet që të çlirojnë një kapital rreth 700-800 milionë euro. Udhëzimi është hartuar mbi Memorandumin e përbashkët të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha me ministrin e Drejtësisë, ministrin e Punëve Publike dhe Transportit. Për kreun e qeverisë, Berisha, ky udhëzim i jep zgjidhje një problemi të madh për rreth 400 pallate dhe ndërtime në kryeqytet me këtë problematikë, duke i pajisur me leje shfrytëzimi. “Sot, ne miratojmë një udhëzim të hartuar mbi bazën e një memorandumi të firmosur nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Bashkia e Tiranës, për të shndërruar në realitet një premtim madhor që kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës u bëri qytetarëve të Tiranës për zhbllokimin e lejeve të shfrytëzimit, ‘de facto’ për zhbllokimin e një kapitali pa jetë, për shkak të burokracisë së deritanishme dhe të praktikave të papranueshme të ndjekura nga Bashkia e mëparshme. Grupi i punës që ka hartuar këtë udhëzim ka marrë parasysh të gjitha kategoritë e problemeve dhe sipas kategorisë, rregullorja ofron dhe zgjidhjet. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse me këtë rregullore bëhet e mundur që të pajisen me leje shfrytëzimi pallate, ndërtime, të cilat, në total, vetëm me detyrimet e tyre çlirojnë një kapital e kontribuojnë me rreth 700-800 milionë euro. Ndërsa kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha është shprehur për këtë çështje, se në javët e para të nëntorit pritet të konkretizohet fillimi i kësaj nisme, që do të përfshijë një listë të gjatë familjesh në Tiranë, të cilat presin të ligjërojnë banesat e tyre. Në kryeqytet ka të paktën tri kategori ndërtimesh të pahipotekuara ende. Kategoria e parë përfshin qytetarët që kanë ndërtuar në tokën e tyre, por që e kanë bërë këtë pa leje. Kategoria e dytë janë ndërtimet e ngritura mbi pronat shtetërore dhe së fundi vijnë ato ndërtime që janë bërë në tokën e pronarëve të tjerë. Sa u përket pallateve që kanë devijuar nga projekti, Basha theksoi se kjo është kategoria problematike me të cilën merret ky memorandum dhe aktet e tjera që po hartohen në Bashkinë e Tiranës dhe që do të hartohen dhe nga qeverisja qendrore. “Çdo pretendim për të kryer ndërhyrje drastike, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërtesa shumëkatëshe, do të ishte jorealist, por në Bashkia e Tiranës, duke mbrojtur interesin publik, në çdo rast do të kërkojmë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e plotë të atyre që kanë bërë këto shkelje, por kjo në asnjë moment nuk do të ndalojë procesin e hipotekimit të banorëve që jetojnë në këto pallate”, - tha Basha. Kryebashkiaku theksoi se certifikata e pronësisë do t’u dërgohet me postë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Janë rreth 450 pallate të pahipotekuara dhe mbi 5 mijë e 700 shtesa pa leje në pallate. Bashkia e Tiranës do të evidentojë kërkesat dhe objektet që u mungon leja e shfrytëzimit. Lista e këtyre objekteve do t‘i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë, e cila, nëpërmjet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, do të identifikojë të gjithë problematikën e kërkesave që kanë ngelur pezull. Memorandumi ka si qëllim kryesor që qytetarët të pajisen me certifikatat e tyre të pronësisë. Devijimi nga leja e ndërtimit, problemet me pagesën e tatimeve dhe mos deklarimi do të shmangen dhe do të bëhet regjistrimi i objekteve. Në memorandum nuk jepen afate për regjistrimin e pronave, por përcaktohet që brenda 10 ditëve nga nënshkrimi, 3 institucionet të përcaktojnë personin përgjegjës për këtë proces. Pas kësaj urdhërohet regjistrimi i pasurisë dhe dërgimi me postë i certifikatës së pronësisë. Zyrat hipotekore, pasi të lëshojnë certifikatën e pronës, kanë për detyrë që të raportojnë në Ministrinë e Financave rastet kur ndërtuesit nuk kanë paguar detyrimet tatimore me qëllim që të nisë vjelja e tyre. Detyrë tjetër është që të dhënat për objektet e regjistruara t‘i dërgohen dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe ALUIZNI-t.
Udhëzimi:
Si do të procedojë Ministria e Drejtësisë
1. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë, me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim.
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat Bashkisw Tiranë.
iii. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes me leje shfrytëzimi nga Bashkia Tiranë.
iv. Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme.
2. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, ato raste që ka dijeni.
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t
iii. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP.
iv. Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme.
3. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë M.së Financave
iii. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP.
iv. Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme
4. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se, të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Tw mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave.
ii. Tw analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura.
iii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara Bashkisw
iv. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP.
v. Dërgojë, tek pronari i pasurisë certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri
Si do të procedojë Ministria e Transportit
1. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se, dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ALUIZNI-t, të gjitha rastet e kërkesave.
ii. Analizojë përputhshmërinë e të dhënave nëpërmjet ALUIZNI-t me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë dhe Bashkia Tiranë.
iii. Finalizojë, nëpërmjet ALUIZNI-t procesin e legalizimit të këtyre pasurive.
iv. Dërgojë, nëpërmjet ALUIZNI-t për regjistrim këto pasuri pas pajisjes së tyre me leje legalizimi, duke njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Bashkinë Tiranë.
2. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e të akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Si do të procedojë Bashkia e Tiranës
1. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e përfunduara me leje ndërtimi.
ii. Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura.
iii. Shqyrtojë dhe lëshojë lejet e shfrytëzimit rast pas rasti në përputhje me legjislacionin në fuqi, për pasuritë që nuk vepron legjislacioni mbi legalizimet e ndërtimeve informale;
iv. Dërgojë rast pas rasti për regjistrim në ZVRPP Tiranë lejet e shfrytëzimit të lëshuara;
v. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.
2. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet, për të cilat është kërkuar leje legalizimi.
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, të cilat janë depozituar për legalizim pranë ALUIZNI-t sipas afateve ligjore.
iii. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.