Urdhri, Memia e shkarkon, qeveria kthen në punë Shehun
TIRANË Në zyrat e ALUIZNI-t të Tiranës asgjë nuk ka ndryshuar nga dy ditë më parë, kur drejtori i Agjencisë së Legalizimeve për Tiranën, Ferdinand Shehu, u shkarkua nga eprori i tij, Shaban Memia, për mungesë të integritetit moral. Dje në mëngjes, Ferdinand Shehu ka hyrë në zyrën e tij për të vijuar punën normalisht, pavarësisht se për të ishte parashikuar një urdhër shkarkimi, të cilën, ai paralajmëroi se do ta ndiqte në rrugë gjyqësore. Arsyeja lidhet me pezullimin e këtij urdhri deri në përfundim të kontrollit të grupit të punës, që vetë kryeministri Berisha ka ngritur për ALUIZNI-n. Burime nga grupi i punës që po merret intensivisht me kontrollin financiar dhe administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Legalizimeve, thanë dje për gazetën “Mapo” se kanë njoftuar drejtorin e ALUIZNI-t, Shaban Memia, që të pezullojë urdhrin e shkarkimit për Ferdinand Shehun, sa kohë që e gjithë puna e kësaj agjencie përfshi edhe vetë Meminë, është pjesë e një kontrolli të hollësishëm që do të zgjasë plot 45 ditë. Burimet saktësuan se Shehu do të vijojë të qëndrojë në detyrën e drejtorit të Legalizimeve për Tiranën derisa të përfundojë i gjithë akti i kontrollit. Për grupin e punës (që në këtë rast është vetëm përcjellës i qëndrimit të qeverisë), urdhri i shkarkimit është i ngrirë dhe se masat për secilin prej drejtuesve të Agjencisë së Legalizimeve do të merren në varësi të raportit përfundimtar, që do të rezultojë nga kontrolli.
Prapaskenat e urdhrit
Dy ditë më parë, kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka firmosur urdhrin për shkarkimin nga puna të drejtorit të ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu. Përfaqësuesja e ALUIZNI-t, Shpresa Muha deklaroi se shkak për shkarkimin e Shehut është bërë mungesa e integritetit moral, më saktë fshehja e së kaluarës para vitit 1992, ku sipas dokumenteve të bëra tashmë publike, Shehu ka punuar në hetuesinë e Vlorës dhe këtë informacion ai nuk e ka depozituar me ardhjen në detyrën e re të kreut të Legalizimeve. Por nga ana tjetër, Ferdinand Shehu punon prej 6 vitesh me procesin e legalizimeve. Shehu ka punuar për një kohë të gjatë zv.drejtor i përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe më pas drejtor i këtij procesi për Tiranën. Për pasojë, arsyeja e publikimit të një dokumenti të tillë pikërisht në këtë moment, dhe jo 6 vite më parë, duket se ka lidhje me një debat të akumuluar prej kohësh mes dy drejtuesve, Shehu dhe Memia. Kontradiktat mes dy krerëve të drejtorive më të rëndësishme në procesin e legalizimit duket se janë edhe zanafilla e një urdhri të posaçëm, të ngritur nga vetë kryeministri Sali Berisha, për kontrollin e këtij procesi. Publikimi i një dokumenti të tillë nuk ka efekt ligjor sa kohë që nuk ka ligj në fuqi që ta ndalojë Shehun që të vijojë detyrën. Por publikimi i këtij fakti, pas 6 vitesh punë dhe bashkëpunimi mes dy ish-kolegësh, nuk mund të kishte veçse efekt moral mbi integritetin e figurës së Shehut, që me sa duket, Memia deri diku ia ka arritur.
Shehu: Shkarkimi im, “luftë shtrigash”
TIRANË Dy ditë më parë, drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Ferdinand Shehu, e cilësoi skenar të inskenuar shkarkimin e tij nga detyra. Në një prononcim për gazetën “MAPO”, Shehu tha dy ditë më parë se urdhri i shkarkimit i kishte mbërritur në zyrë, ndërsa lidhur me akuzat se ai kishte punuar në hetuesinë e Vlorës, Shehu pohoi se do të përgjigjej me fakte. “Deri më tani mund t’ju konfirmoj urdhrin e shkarkimit, pasi më ka ardhur në zyrë në orën 14:30. Në lidhje me akuzat si punonjës i hetuesisë së Vlorës, dua t’ju them vetëm një fakt, që unë kam përfunduar fakultetin e inxhinierisë mekanike në vitin 1988, kështu që bëjeni vetë llogarinë se sa hetues mund të kem qenë unë. Megjithatë, të gjithë atyre që kanë inskenuar këtë skenar mediokër, unë do t’u përgjigjem pasi t’i shoh zyrtarisht këto pretendime, që deri më tani i kam dëgjuar vetëm nga media”, - është shprehur Shehu. Drejtori i shkarkuar ka pohuar se brenda rangjeve më të larta drejtuese të ALUIZNI-t është duke u zhvilluar thjesht një “luftë shtrigash”.