Shaban Memia: Për 60 ditë ju tregoj pronarët e vilave në bregdet

Kreu i ALUIZN-it deklaron se procesi i legalizimit është në përfundim ku deri më tani janë dhënë 110 mijë tituj pronësie
110 mijë tituj pronësie që kanë çuar në arkën e shtetit 7 miliardë lekë të reja, janë shifra të cilat për kreun e ALUIZN-it, Shaban Memia tregojnë se procesi i legalizmit të zonave informale ka qenë i suksesshëm.
E ndërsa ky proces në qytetet më të mëdha të vendit, sipas Memisë, është drejt përfundimit, më 10 gusht kjo agjenci do të nisë punën për dhënien e titujve të pronësisë në zonat bregdetare. Megjithëse nisja e këtij procesi është kontestuar nga shoqatat e ish pronarëve dhe nga opozita, kreu i ALUIZN-it se agjencia që ai drejton nuk do të bëjë gjë tjetër veç zbatimit të ligjit.
Sipas tij, në përfundim të këtyre, procedurave, pritet të zgjasin 60 ditë, për herë të parë do të mund të mësojmë se kush janë realisht pronarët në zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit në vend. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Shaban Memia tregon punën e deritanishme të kësaj agjencie dhe procedurat që do të ndiqen edhe në legalizimin e zonave bregdetare ku deri më tani rezultojnë pronarë, politikanë dhe njerëz të veshur me pushtet të këtij vendi.
Z. Memia prej më shumë se një viti, në mënyrë periodike Këshilli i Ministave miraton lejet e kalimit të pronësisë të përgatitura nga ALUIZNI. A mund të themi se tashmë Shqipëria e ka kaluar fazën informale në ndërtime?
Që nga krijimi i saj e deri më tani, agjencia ka kaluar për miratim rreth 80 mijë parcela ndërtimi që korespondojnë me rreth 110 mijë tituj pronësish. Me miratimin edhe të 7516 parcelave ndërtimore mund të themi se tashmë ky proces është drejt përfundimit.
Por rëndësia e këtij procesi nuk ka të bëjë me kalimin e titujve të pronësisë por me faktin se tashmë kemi përfunduar procesin e ndërtimeve informale në qytetet e mëdha të vendit, si Tiranë, Durrës, Fier Vlorë, Shkodër e tij. Me përfundimin e këtij procesi qytetarët janë realisht pronarë të ndërtimit të tyre dhe pasuria e tyre merr vlerat e tregut.
Veç kësaj, procesi i legalizimit të zonave informale ka sjellë si domosdoshmëri projektimin e planeve urbanizuese në njësitë e qeverisjes lokale. Tashmë falë krijimit të hartave dixhitalizuese në versionin elektronik në territoret e bashkive më të mëdha të vendit hartimi i studimeve urbane dhe realizimi i projekteve integruese të këtyre zonave do të jetë shumë më i lehtë.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se standardet ligjore teknike dhe teknologjike të implemetuar për realizimin e kësaj reforme janë të tilla që garantojnë që titujt e pronësisë të jenë produket më të sigurt të prodhuara ndonjëhere në këtë vend.
Z. Memia ju thatë se keni përfunduar dixhitalizimin e hartave në zonat më kryesore të vendit. Ky proces a ka siguruar pronën e qytetarëve në mënyrë që qytetarët të mos kenë më probleme të mbivendosjes së pronësisë?
Një ndër objektivat e reformës dhe që përbën dhe risinë në këtë fushë, atë të së drejtës së pronësisë, lidhet me faktin se ne po stabilizojmë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare raportet e pronësisë në këto territore. Hartimi i hartave dixhitale ka eliminuar çdo mundësi të mbivedosjes apo të spostimit të pronësisë.
Kjo për faktin e thjeshtë se në momentin që prekim një pasuri marrim statusin juridik në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe e bëjmë pjesë të nomneklaturës së këtij sistemi ku çdo pasuri ka dosjen e vete në sistemin e regjistrimit qendror. Teknologjia moderne na ka krijuar mundësinë që të vendosim përdorimin e koordinatave gjeografike çka do të thotë që në dokumentacionin që ne prodhojmë katër cepat e pasurisë së një qytetari vendosen koordinatat për të eliminuar çdo mundësi deformimi.
Në ato zona ku ne kemi punuar është pasqyruar në mënyrë korrekte pozicioni gjeografik natyral i pronës me atë atë të hartografisë në regjistrin qendror.
Z. Memia realizimi i procesit të legalizimit të zonave informale ka sjellë si domosdoshmëri edhe bashkëpunimin me strukturat vendore. A mund të më thoni si ka qenë ky bashkëpunim?
Padyshim që problemi i bashkëpunimit të njësive vendore ka përbërë një nga sfidta e këtij procesi. Por ne kemi deklaruar që në fillim që legalizimi i zonave informale nuk është një proces politik por një reformë ekonomike që kërkon vullnet politik dhe në këtë këndveshtrim ne kemi ndjekur rrugën e bashkëpunimit, atë të zgjedhjes së problemeve me njësitë e qeverisjes lokale dhe jo konfliktit, gjë që është finalizuar me 70 për qind të realizimit të procesit.
Gjithashtu suksesi i reformës lidhet me kuadrin ligjor dhe teknologjinë e përdorur. ALUIZNI është shndërruar në një institut gjeologjie ku ne jemi i vetmi istitucion që gjenerojmë infomacion të standardeve të kushteve të bashkimit eueropian.
Sot në këtë insitucion janë rreth 800 punonjës që punojnë duke përdorur teknikat më të fundit kompjuterike për të cilët unë do të shprehja konsiderata të veçanta për aftësitë e tyre profesionale, për angazhim e tyre që ka bërë të mundur që në harkun kohor prej afro një viti e gjysmë të kenë kryer mbi 70% të punës së realizimit të kësaj reforme në zonat informale.
Është për t'u vlerësuar puna e tyre se ALUIZNI e ka marrë autorizimin e plotë të gjitha hapave të realizimit procedural të kalimit të pronësisë vendimin të KM me nr 515 dt 13.05 2009. .Deri në këtë datë të gjitha procedurat ligjore u ishin deleguar pushtetit vendor të cilat nuk arritën të klasifikonin qoftë dhe një pasuri të vetme.
Z. Memia gjatë gjithë deklaratës suaj legalizimin e zonave informale e konsideroni dhe një reformë ekonomike, përse?
Sigurisht që ky proces është një reformë ekonomike për faktin se informalitetit në fushën e ndërtimeve në qytetet e mëdha zë dy të tretat. Nga përllogaritjet e bëra vetëm kostoja e ndërtimit në këto territore kap shifrën e mbi 10 miliardë eurosh dhe me përfundimin e reformës ky kapital i vdekur deri më tani bëhet aktiv. Së dyti, realizimi i reformës ka edhe përfitimin financiar të institucioneve shtetërore.
Deri më tani nga ky process janë arketuar rreth 7 miliardë lekë të reja nga të cilat 1.9 miliardë lekë shkojnë në fondin e kompensimit të ish- pronarëve dhe pjesa tjetër i delegohet njësive të qeverisjes vendore të cilat do të përdoren për realizimin e studimeve urbanistike në këto zona.
Ndërkohë që ju quani të përfunduar procesin e legalizimeve të zonave informale, me datë 10 Gusht do të nisë legalizimi i ndërtimeve në zonat bregdetare. Ky process ka qenë tejet i diskutuar për faktin e thjeshtë që posedues të këtyre ndërtimeve janë politikanë apo dhe njerëz të veshur me pushtet.
Cilat do të jenë procedurat që do të ndiqen në këtë rast?
Proceci i legalizmit në zonat bregdetare është kaq problematik sa në ato të zonave informale. Zbatimi i ligjit për kalimin e pronësisë mbi truallin shtetëror mbi zonat që kanë përparësi në zhvillimin e turizmit fillon me 10 gusht por gjatë kësaj kohe është përgatitur i gjithë dokumentacioni i duhur.
Në një periudhë prej 60 ditësh, subjektet e interesuar do të paraqesin kërkesën për legalizmim pranë agjencisë ndërkohë që ne kemi tërhequr të gjithë dokumentacioni nga Ministria e Turizmit i cili ka miratuar deri më tani lejet e ndërtimit qoftë të subjekteve apo dhe individëve që gëzojnë titujt si person i stimuluar.
Në realitet këto ndërtime nuk janë pa leje sepse kanë dekomentacionet përkatëse por investitorët kanë shkelur kushtet e kontratës së ndërtimit ndaj doli si domosdoshmëri që edhe këto ndërtime të përfshiheshin në proces legalizimi.
Ne si agjenci jemi të detyruar të zbatojmë ligjet që janë në fuqi dhe unë di që të gjithë para ligjit janë të barabartë. Unë i garantoj për respektim në mënyrë rigoroze të ligjit dhe për transparencë të plotë. Unë kam sot gjithë vendimmarrjet mbi të cilat janë realizuar këto investime dhe për herë të parë pas përfundimit të kësaj faze ne do të kemi të dhëna të plota se kush janë poseduesit e këtyre pronave dhe këto do të bëhen publike ashtu siç ka vepruar deri më tani ALUIZNI.
Z, Memia tashmë që ky proces është drejt përfundimit, realizimin e tij a e shihni si përmbushje të angazhimeve politike apo si një sadisfaksion personal?
Është shumë e rëndësishme që të evidentohet fakti që ne kemi ngritur sistemin çka do të thotë që përpunohen mijëra tituj pronësie dhe qytetarëve u janë anashkaluar një sërë procedurash. Kur mbaron i gjithë dokumentacioni ligjor nëpërmjet postës çdo qytetari i shkon urdhër-pagesa ku njoftohet për përfundimin e të gjithë procedurave.
Dhe kjo ka bërë që qytetarët të cilët posedojnë objekte që kanë në proces të kenë besim tek kjo reformë dhe padyshim që për t'u kthyer tek pyetja juaj çdo qeveri dhe çdo institucion gjykohet ose vleresohet për realizimet dhe mos realizimin e objektivave. Por kjo është një reformë që ka përmasa përtej dimensioneve individuale.
Ligji "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", "u fal" tokën pronarëve të vilave që janë ndërtuar në zonën e bregdetit
Legalizimet, vilat në bregdet "shiten" për 2500 euro
2500 euro kushton një vilë në bregdetin shqiptar. Në fakt, kaq duhet të paguajnë të gjithë ata që posedojnë një vilë në këtë zonë me nisjen e procesit të legalizimit. 2500 euro do të kushtojë një vilë në të ashtuquajturat fshatra turistikë që nuk janë gjë tjetër veçse "oaz" i pushtetarëve shqiptarë. Në fakt, është nisja e procesit të legalizimeve në këto zona që do të bëjë të mundur që për dy kacidhe poseduesit e këtyre vilave të trashëgojnë pronën e tyre.
Procesi pritet të nisë me 10 gusht dhe në bazë të llogarive një vilë me një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë do të kushtojë vetëm 2500 euro. Me një llogari të thjeshtë kaq duhet të paguajnë pronarët aktualë që të hipotekojnë pronën e tyre në zonat më të preferuar të bregdetit shqiptar.
Në fakt, blerësit janë të ditur, por brenda këtyre 60-ditëve do të nisin transaksionet bankare. Shteti do të fusë në arkën e tij dy kacidhe, ndërsa ata që sot janë njerëzit më të pushtetshëm të këtij vendi do të bëhen pronarë të zonave dikur me aspiratë për zhvillimin e turizmit në vend. Bëhet fjalë për ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", i cili është miratuar në unanimitet të plotë nga Parlamenti shqiptar.
Megjithëse ligji ka hasur në kundërshtime nga shoqata e ish- pronarëve me argumentin se deputetët janë në konflikt të hapur interesi, tashmë duket se shitja e truallit nëpër fshatrat turistike është tashmë një proces i pakthyeshëm.
Kryesisht përgjatë 10 viteve të fundit qeveritë shqiptare kanë miratuar rreth 32 leje për zhvillimin e fshatrave turistikë, kryesisht në zonat më të bukura të vendit. Por, 30 prej tyre nuk ka ruajtur destinacionin, për të cilin e ka marrë lejen e ndërtimit. Të gjitha ndërtimet e kryera brenda fshatrave turistikë, janë shitur, po sipas kontratës së bërë nga shteti me ndërtuesin, për një periudhë prej 99-vjetësh.
Një fshat turistik ka të paktën 20 hektarë si sipërfaqe totale dhe gjithë pjesa tjetër quhet zonë e mbrojtur. Por me nisjen e procesit të legalizimit, kjo zonë nuk është më në funksion të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, por në funksion të pronarëve të këtyre vilave. Janë rreth 600 ha tokë që me nisjen e procesit të legalizimit me dhjetë gusht de fakto do të shiten me 5 euro metri katror.
Në fakt, në këtë konkluzion del pasi analizon ligjin me të tërë lehtësitë që parashikon ky proces. Ligji parashikon shitjen e sipërfaqes së truallit në bazë të çmimit të tregut.
Sipas ligjit që është miratuar për shitjen e trojeve në zonën e Golemit, që është dhe zona më problematike, 1m2 është vlerësuar me rreth 120 mijë lekë që është afërsisht 87 euro. Por neni 9 i këtij ligji bën fjalë për blerjen e truallit të njësisë së ndërtimit dhe në pikën 3 të tij thuhet se 80% e vlerës së truallit e paguan blerësi dhe 20 % personi i stimuluar.
Nga 87 euro 1 m2 shkon në 70. Por 125 i këtij ligji mbi procedurat e përllogaritura thotë se çmimi i truallit reduktohet në masën 20 %, nëse personat i paguajnë vlerën brenda 3 muajve.
Pra vlera e 1 m2 në këtë zonë përfundon në 54 euro. Veç kësaj, çdo person që ka vilën në këto fshatra turistikë de fakto kanë në posedim 10-fishin e sipërfaqes së truallit dhe kuptohet që çmimi real po të përfshihet e tërë sipërfaqja shkon në 5 euro m2. Dhe përfituesit nuk janë shtresat më të varfra. Shumica e blerësve, janë njerëz të njohur në qarqet politike ekonomike dhe intelektuale.
Dikush prej tyre ka përdorur emrin e vjehrrit apo të kunatës, dikush emrin e vet apo të bashkëshortes. Ndërkohë që përveç vlerave qesharake që duhet të paguajnë pronarët e këtyre vilave, për herë pas 60-ditësh ndoshta do të kemi një listë të plotë të pronarëve real të zonave që dikur aspironin zhvillimin e turizmit dhe sot s'janë gjë tjerë veçse oaz prehje dhe paqeje në këtë vend ku kausi zhvillohet në emër të ligjit.
Ligji
Pak kohë më parë, Parlamenti miratoi ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", ose thënë ndryshe ligji që do legalizojë nëpërmjet një procesi të posaçëm të gjitha ndërtimet e ligjshme dhe të paligjshme të bëra në fshatrat turistikë deri në dhjetor të vitit 2008.
Ligji përcakton që të gjitha ndërtimet e kryera në këto zona para 31 Dhjetorit 2009 do të përfshihen në proces legalizimi, ku ndërtuesit apo poseduesit e këtyre ndërtimeve do të kenë mundësi, që t'i bëjnë ato përfundimisht prona të tyre, kundrejt blerjes që do t'i bëjnë tokës së përdorur si truall sipas çmimeve të tregut.
Por në ligj sanksionohet se poseduesi i ndërtesës do të mund të blejë fillimisht vetëm truallin mbi të cilin është ndërtuar objekti, ndërsa oborri dhe çdo pjesë tjetër si lulishte, rrugët e fshatit turistik do të kalojnë në bashkëpronësi.
Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit, që ai gëzon. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar çmimi paguhet në masën 80 për qind të vlerës prej subjektit dhe 20 për qind nga personi i stimuluar.
Çmimi i truallit që do të paguajnë subjektet e mësipërme mund të reduktohet në masën 10 për qind nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim dhe 20 për qind nëse paguhet brenda një muaji. Ndërkohë, që vetëm pas blerjes së truallit sipas çmimeve të tregut, poseduesi mund të regjistrojë ndërtesën në ZRPP.
Lista
Disa nga personat e njohur që kanë vila në të ashtuquajtura fshatra turistikë
Argita Berisha, vajza e kryeministrit
Ilir Meta, zv.kryeministër
Ridvan Bode, ministër i Financave
Shaban Memia, kreu i AUIZNIT
Lulzim Basha, ministri i Brendshëm
Fatos Nano, ish-kryeministër
Nikoll Lesi, ish-deputet
Fatos Beja, deputet i PD
Genc Pollo, Ministër Pa portofol
Flori Bajrami, Deputet i PD
Adriana Kumbaro, Deputete e PD
Mesila Doda, Deputete e PD
Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit
Gerti Bogdani, Deputet i PD
Jemin Gjana, Deputet i PD
Bashkim Fino, Deputet i PS
Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit
Genc Ruli, ministër i Bujqësisë
Gjergj Bojaxhi, ish-Drejtor i KESH
Pandeli Majko, Deputet i PS
Aleksandër Frangaj, Botues
Alfred Peza, Gazetar
Alfred Prifti, ish-drejtor i Tatimeve
Arben Imami, ministër i Mbrojtjes
Arbër Xhaferri, Politikan Maqedoni
Ardit Gjebrea, Artist
Armand Shkullaku, Gazetar
Artan Santo, Drejtor banke
Blendi Fevziu, Gazetar
Baton Haxhiu, Botues Kosovë
Besnik Ymeraj, Gjyqtar
Eqrem Bardha, Diaspora SHBA
Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes
Fehmi Abdiu, Gjyqtar
Frrok Çupi, Gazetar
Ilirjan Celibashi, Ish-kryetar i KQZ
Irma Libohova, Artiste
Maks Haxhia, Jurist
Neritan Sejamini, Këshilltar i kryeministrit
Ridvan Bode, ministër i Financave
Sokrat Sinaj, ish-kreu i Komitetit të Pronave
Uran Butka, Politikan PD
Çmimet e tokave sipas AKKP-së
Dhërmi: 2 281 lekë/m2
Palasë: 1 729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17 867 lekë/m2
Radhimë: 2 143 lekë/m2
Zvërnec: 1 617 lekë/m2
Delvinë: 1 191 lekë/m2
Ksamil: 3 686 lekë/m2
Në Shkodër
Çmimi maks.: 31 753 lekë/m2
Çmimi min.: 13 429 lekë/m2
Velipojë: 1 286 lekë/m2
Pogradec
Çmimi maks.: 2 7177 lekë/m2
Çmimi min.: 22 000 lekë/m2
Golemi 17 158 lekë/m2
Karpeni 14 117 lekë/m2
Spilleja 11 075 lekë/m2
Gjiri i Durrësit 37 262 lekë/m2
Gjiri i Lalsit 13 866 lekë/m2
Shëngjini 25 510 lekë/m2
Gjiri i Rodonit - Laç 4 904 lekë/m2
Gjiri në lumin Mat 4 904 lekë/m2
Bregu i liqenit 21 564 lekë/m2