E Diel, 1 Nëntor 2026

Veseli: Si u krijua fshati i të internuarve dhe dhoma e torturës

Piktori i filmit "Kolonel Bunker", Shaqir Veseli, tregon për përvojën e tij me regjisorin Çashku, për krijimin e skenave realiste, simbolike dhe dekoreve voluminoze


Sot regjisori Kujtim Çashku bën 60 vjeç. Për këtë rast, Arkivi Qendror Shtetëror

i Filmit shfaqi dje filmin "Kolonel Bunker" (1996), përfaqësues i krijimtarisë së Çashkut dhe filmi i tij i preferuar. Regjisori nuk ishte i pranishëm në kinemanë e re të Arkivit. Në sallë ishin vetëm studentët e tij, tek-tuk ndonjë koleg kineast dhe dashamirë të kinemasë së Çashkut. Në kushtet e një pjesëmarrjeje të ulët, filmi "Syri Magjik", i planifikuar për sot, nuk do të shfaqet në ekranin e Arkivit.


Shaqir Veseli, piktor i "Kolonel Bunker" i përgjigjet tri pyetjeve për punën e tij në realizimin e filmit, kërkesat dhe synimin e regjisorit me këtë film që mbetet megjithatë një film pak i shfaqur për publikun e kinemasë dhe aspak i shfaqur në ekranin e vogël të TV-së.


Z. Veseli ju keni qenë piktor i "Kolonel Bunker", filmi i parë i realizuar jashtë çatisë së Kinostudios "Shqipëria sot".


Duke iu referuar simbolikës së fortë të veprës dhe praninë e dendur të atmosferës militare, çfarë ka pasur të vështirë realizimi i saj në aspektin e punës suaj si piktor dhe çfarë kishte kërkuar prej jush regjisori Kujtim Çashku?


Së pari për të qenë të saktë, në vitet '95-'96 kur realizohej filmi, Kinostudio nuk ishte shpërbërë akoma, por ky ishte filmi i parë që realizohej jashtë formatit tradicional të Kinostudios me elemente të reja (për ne) në realizimin e një vepre filmike. Unë iu atashova grupit kur puna sapo kishte filluar dhe u ambientova shpejt me punën e regjisorit dhe të kolegëve. Kam pasur një bashkëpunim mjaft optimal si dhe me repartet e ndryshme të realizimit të filmit.


Kërkesa e regjisorit fokusohej tek realizmi simbolik, meqë tema që trajtohej mund të shtrihej mjaft mirë në plan. Në realizimin e dekoreve, të cilat duhet të theksoj se ishin voluminoze dhe relativisht të vështira, kjo kërkesë mendoj se u pasqyrua mirë, po t'iu kujtoj skenat e xhirimit në "fshatin e të internuarve" në Gjadër të Lezhës, skenën e dhomës së torturave të kolonelit, skenat finale të filmit etj.


Për sa i përket punës sime kjo ishte një përvojë e pakrahasuar që më dha mundësi të futesha më tej në këtë lëmë, me realizimin me pas të dekoreve të filmit "Parullat" të regjisorit Gjergj Xhuvani.


Për sa i përket marrëdhënies sime me regjisorin Çashku, mendoj se qe një marrëdhënie shumë frutdhënëse rezultati i së cilës mund të ndihet lehtas në shikimin e filmit, marrëdhënie e cila vazhdon edhe sot.


Drejt çfarë ideje synonit të shkonit?


Synonim të krijonim një tablo të qartë, të kuptueshme njëkohësisht të bukur estetikisht në raport me skenarin e filmit. Natyrisht që zbërthimi i figurave artistike nuk qe i thjeshtë dhe kërkoi një bashkëpunim të vazhdueshëm pa paragjykim.


E them këtë duke iu referuar vetes time për shkak të përvojës së paktë që kisha. Nuk mund të lë pa përmendur ndihmesën e pakursyer të regjisorit dhe sidomos të tre personave të tjerë bashkëpunëtorë të afërt që ishin: drejtori i prodhimit të filmit z. Todi Bozo, piktori i kostumeve Astrit Tota dhe drejtori i fotografisë, i talentuari z. Afrim Spahiu.


Në kohën kur realizohej kjo vepër ishin të rralla veprat që reflektonin mbi të kaluarën. Kujtojmë, psh, realizimin televiziv "Vdekja e kalit" e Saimir Kumbaros.


Po edhe më pas nuk është se kinemaja ka reflektuar në tema e motive që ofron me larmi ajo epokë. Çfarë mendoni pas kaq vitesh për "Kolonel Bunker"?


Mendoj që në realizimin e këtij filmi u punua me zell dhe përkushtim, shpesh dhe me sakrificë. Mendoj që në përgjithësi jemi shpërblyer për çfarë kemi realizuar. Natyrisht si në çdo shikim mbrapa mund të ndryshohej ndonjë gjë (flas gjithnjë për dekoret), por gjithsesi mendoj që kjo ishte një punë që u realizua mirë. Gjej rastin t'i përshëndes të gjithë grupin e realizimit të filmit, që për mua do të mbeten të pakrahasuar.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›