E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaban Sinani: Si u pritën hebrenjtë në Shqipëri

Nëse në shume vende u zbuan, e iu shitën nazistëve, hebrenjtë në Shqipëri në të gjitha periudhat e vërshimeve të tyre janë mirëpritur. Dokumentet dëshmojnë se gjatë luftës së dytë botërore ishin më se 2 mijë hebrenj, vendas dhe të ardhur nga Europa Qendrore dhe Ballkani që u shpëtuan. “Hebrenjtë në Shqipëri” prania dhe shpëtimi i tyre, është studimi i ri i Shaban Sinanit, i cili përmes dokumentesh origjinale të botuara për herë të parë, nënvizon se Shqipëria, shihej si atdhe i dytë për hebrenjtë.
Shaban Sinani Autor i studimit
“Dhe rezulton se jo vetëm Lidhja e Kombeve por, edhe organizatat më të mëdha hebreje të kohës, vendin më të sigurt për të shpëtuar hebrenjtë gjetën Shqipërinë. Në këto burime është bërë fjalë edhe për marrëveshje dypalëshe e shumëpalëshe. Dypalëshe është përgatitur mes Ambasadorit amerikan Herman Bernshtajn dhe Ministrit Konica, për instalimin së paku të 500 familjeve hebreje, në territoret që do të bonifikoheshin prej tyre, kryesisht në rrjedhën e Bunës dhe të Drinit. Pastaj raportohet se edhe qeveria britanike ka patur të njejtin interesim, që ka vazhduar deri në pragun e pushtimit fashist. Për të krijuar një etnitet të hebrejve në Shqipëri që do të ishte i ngjashëm me atë në atdheun e tyre të lashtë në Palestinë. Ky projekt pati edhe pëlqimin e Lidhjes së Kombeve. Para tre muajsh është botuar një raport i njerit prej përfaqësuesve të bashkësisë hebraike që kanë inspektuar Shqipërinë në vitet ‘30, për të parë sa e mundshme ishte kjo ide. Aty bëhet shumë e qartë se kjo përfaqësi që erdhi në Shqipëri për ta parë sa mirëkuptim do të gjente ky projekt, kishte gjetur pëlqimin e autoriteteve vendase.”
Në studim është publikuar një fotografi e nobelistit Albert Ajnshtajn me ambasadorin amerikan Herman Bernshtajn e marrë nga arkivi i viteve 1928-1934 i Bernshtajn kur ky i fundit ishte Ambasador i Amerikës në Shqipëri, një fakt i ri për hipotezën se nobelisti ka vizituar Shqipërinë në ato vite.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›