E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat,Meta në Bruksel: Shqipëria do të përmbush detyrimet

Deklaratat e Metës, u bënë gjatë një takimi me zv/drejtorin e Përgjithshëm për Imigracionin dhe Azilin në Komisionin Evropian, Jean-Louis De Brouwer, ku diskutoi mbi situatën e deritanishme të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

 "Sot kur në gjithë Europën përkujtohet rënia e murit të Berlinit, për ne shqiptarët arritja e kësaj marrëveshje për liberalizimin e vizave me BE-në do të jetë një rënie për së dyti e këtij muri, që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë", tha Meta.

Numri dy i qeverisë shqiptare vlerësoi angazhimin e Komisionit Evropian për t'i dhënë mundësinë vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave. Duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për vendin tonë, Meta u shpreh se "Shqipëria ka shënuar një progres tepër të dukshëm si në drejtim të legjislacionit, ashtu edhe në drejtim të zbatimit të tij".

Në këtë drejtim, Meta veçoi Planin për Veprim në zbatim të strategjisë së luftës kundër krimit të organizuar, që ka qenë edhe një shembull i bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet agjencive të ndryshme. "Progresi për prodhimin e pasaportave biometrike ka qenë dhe është i konsiderueshëm, po kështu edhe progresi për sa i takon të drejtave themelore dhe në veçanti menaxhimit të integruar të kufijve. Ne jemi të ndërgjegjshëm se mbetet ende për të bërë dhe do të bëjmë çdo gjë për t'i përmbushur të gjitha detyrimet tona", tha. Meta.

Në 3 qershor 2008 Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë Udhërrëfyesin (Roadmap) për liberalizimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Udhëzuesi informon autoritetet shqiptare për masat që duhen marrë në mënyrë që të mund të sigurohet lëvizje e lirë pa viza për të gjithë qytetarët shqiptarë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›