Shalsi: Ruli favorizoi kompaninë minerare

Deputeti, Eduard Shalsi, u shpreh se Ruli, jo vetëm i ka kushtuar dëme financiare, por ka toleruar humbjen e jetës së minatorëve të Bulqizës në emër të përfitimeve të kompanisë ACR dhe të përfitimeve të tija personale.
“Sipas kontratës koncesionare kompania ACR duhet të investojë në periudhën 2009 – 2013 miliona për rinovimin e teknologjisë dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në miniera. Por në mënyrë aspak transparente, vetëm pak ditë pas grabitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, në 9 korrik 2009, ish-ministri i ekonomisë Genc Ruli ka miratuar kërkesën e kompanisë ACR për ndryshimin e afateve të investimit prej 13 milion eurosh”, theksoi ai sot.
Deputeti opozitar shtoi se Ruli ka shkelur me të dyja këmbët ligjin, duke miratuar vendimin pa e kaluar atë në Kuvend. “Pasi i ka shtyrë afatet e investimit kompanisë ACR ai e ka favorizuar atë edhe duke i toleruar afatet e pagesës së gjobave për mosrealizimin e një investimi të mëparshëm prej 22 milion eurosh. Investim të cilin kjo kompani duhet të kishte kryer deri në vitin 2010. Pra Ministri Ruli jo vetëm që ka favorizuar në mënyrë korruptive kompaninë ACR duke i shtyrë asaj afatet e investimeve, por i ka njohur vetes edhe të drejtën të zbatojë kompetencat e Ministrisë të Financave duke e lidhur pagesën e gjobës prej 1.6 milion eurosh nga ana e kompanisë ACR me rimbursimin e TVSH që do t’ i bëhej kësaj kompanie për shkak të statusit të saj si kompani eksportuese”, tha gjithashtu./Saimir Lleshi/Start/
2010-12-21 14:26
[