E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shansi quhet Olta

Olta Boka është emri që prish një rit të trishtë 3-vjeçar të mbetjes së Shqipërisë pa u futur dot në zonën e nxehtë të finales së madhe të "Eurosong"-ut. Me baladën "Zemrën e lamë peng", me kompozicion të Ardian Hilës dhe tekst të Pandi Laços, 16-vjeçarja arriti të kalonte në natën finale dhe të ngjallë shpresat se këtë herë emri "Albania" do të jetë ndër më të dëgjuarit. Dhe kjo pritet të ndodhë në Beograd, mes Savës dhe Danubit, aty ku interpretoi Olda Boka në stadiumin "Beogradcka Arena". Një ditë më parë, kjo ishte paralajmëruar nga Dushka Vuçiniç Lutiç, një nga drejtueset e larta të edicionit të radhës së "Eurosong"-ut, e cila u shpreh optimiste për përfaqësuesen e Shqipërisë Olta Boka. Për të, këngëtarja shqiptare, ndonëse ishte konkurrentja më e vogël, ishte një këngëtare që premton shumë, u shpreh zonja Lutiç para mbrëmjes së natës së dytë finale, duke shtuar se edhe kënga që interpreton Boka, kishte një tekst e melodi shumë të bukur. Dhe paralajmërimet pozitive të saj u bënë realitet dy net më parë, kur Olta Boka kaloi për në natën finale që organizohet sonte.

Historia e Shqipërisë në "Eurosong" nisi 5 vjet më parë me Anjeza Shahinin, e para fituese e "Etheve", një talent i vërtetë, e cila me këngën e saj, produkt i dyshes Edmond Zhulali - Agim Doçi, u rendit e shtata. Për Shqipërinë kjo do të konsiderohej si një ngjarje e madhe në artin muzikor. Por më pas, festa u zbeh. Përfaqësimet e Shqipërisë ishin të dobëta dhe mbesnin në fazën parafinave, pa mundur të shkojnë më tej. Zhgënjimet ishin të njëpasnjëshme. Pas Anjeza Shahinit, në "Eurosong" do të shkonte një emër i afirmuar i muzikës së lehtë shqiptare, Ledina Çelo. Pas saj, etheisti Luiz Ejlli. Pas shkodranit riosh, do të shkonte një shkodran i regjur në këngë, si Frederik Ndoci, por asnjë nga këta të tre nuk mundi të impresionojë. Në komentet e ndryshme mediatike, herë i është vënë faji kualitetit të këngëve, herë performancës së dobët e herë marketingut të pamjaftueshëm. Të gjitha këto, në emër të një zhgënjimi që kishte fikur tërësisht atë zjarr entuziazmi dhe euforie për përfaqësimin e parë të Shqipërisë me Anjeza Shahinin, ku u rendit ndër vendet e para. Këngë e saj, ka qenë ndër tipiket e muzikës së lehtë shqiptare me ritëm e melodicitet të pasforcuar, tejet e kapshme për veshin e tejet e thjeshtë. Shtoi këtyre dhe interpretimin virtuoz nga ana vokale të Shahinit e suksesi ishte i natyrshëm. Ndërsa për përfaqësimet e mëpastajshme, këngët u komentuan jo me nivelin e duhur, mes tyre dhe balada si kjo e Bokës kësaj radhe, por që nuk arritën të shënjoheshin me stigmën e suksesit ose së paku të një përfaqësimi dinjitoz. Ndërsa me Olta Bokën dhe këngën e saj po ndodh ndryshe. Sigurisht duhet pritur dhe nata finale për t‘i bërë një vlerësim me objektiv përfaqësimit të saj në shumë elementë.

Festivali Evropian i Këngës, ose siç quhet ndryshe "Eurosong", organizohet që nga viti 1955 dhe sipas statistikave, llogariten të jenë interpretuar rreth 1 milionë e 100 këngë. Për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua në vitin 2004, në Turqi, me këngën "Imazhi yt". Më pas përfaqësimi u bë me këngëtaren Ledina Çelo me këngën "Nesër shkoj". Në vitin 2006, përfaqësimi u bë me këngëtarin Luis Ejlli, me këngën "Zjarr e ftohtë", të Klodian Qafokut. Hera e fundit ishte për këngëtarin Frederik Ndoci, në maj 2007, në Helsinki, me këngën "Balada e gurit". Ndërkohë, për paradoks, kënga e Olta Bokës, "Zemrën e lamë peng", ka si kompozitor e autor teksti Ardian Hilën e Pandi Laçon, të cilët janë po ashtu dhe autorët e dy këngëve të tjera përfaqësuese, "Nesër Shkoj" e "Balada e gurit", të konsideruara të pasuksesshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›