E Diel, 1 Nëntor 2026

Shaqiri, trajner pasi të varë “këpucët në gozhdë”Artim Shaqiri: “Pas përfundimit të karrierës sime do të vazhdojë me futbollin. Kjo ka qenë arsyeja që jam regjistruar në shkollën për edukim të trajnerëve, për tu pajisur me diplomë të UEFA

RESHAT IBRAHIMI (Shkup) – Futbollisti i mirënjohur shqiptar, Artim Shaqiri, i cili luan në skuadrën e FC Qarabagh (Azerbejaxhan) edhe pas përfundimit të karrierës së tij si lojtar nuk do të ndahet nga futbolli. Me mbarimin e sezonit vjeshtor në kampionatin e Azerbajxhanit ai është kthyer në vendlindjen e tij për tu çmallur me familjen dhe të afërmit, ndërkohë është regjistruar në Qendrën për edukim të trajnerëve pranë FFM-së, për marrjen e PRO Diplomës së UEFA-s.

“Ende nuk e kam vendosur se kur do të tërhiqem nga futbolli aktiv, mirëpo një ditë kjo do të ndodh. Por, edhe pas përfundimit të karrierës sime unë do të vazhdojë me futbollin. Kjo ka qenë arsyeja që jam regjistruar në shkollën për edukim të trajnerëve, për tu pajisur me diplomë të UEFA-s”, është shprehur Shaqiri.

Ky program parasheh 240 orë teorike dhe praktike, të cilat do të realizohen në periudhën mars-shtator të vitit 2009. Për realizimin e këtij programi pritet të jenë të kyçur mësimdhënës të huaj, të cilët e kanë vërtetuar pjesëmarrjen e tyre. Ndryshe, skuadra e Artim Shaqirit, Qarabagh, në fund të sezonit vjeshtor është plasuar në vendin e shtatë me 24 pikë, shtatë më pak se lideri i renditjes Inter Baku (31 pikë). Në 13 ndeshje të luajtura Shaqiri ka arritur të shënojë edhe tre gola për ekipin e tij.

Gjatë karrierës së tij 35 vjeçari nga Struga ka luajtur për KF Vardari (1993-1996), Halmstads BK (1997-1998), Tennis Borussia Berlin (1999-2000), HIT Nova Gorica (2001-2002), Korotan Prevalje (2001-2002), Malatyaspor (2001-2002), CSKA Sofje (2002-2003), West Bromwich Albion (2003-2005), Aalborg BK (2005-2006), F.C. International Turku (2006), FC Vaduz (2007), FK Elbasani (janar 2007-2008) dhe KF Shkëndija '79 (2007).

E Merkure, 17 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›