Disiplina, 5.1 milionë lekë gjoba

5.1 milionë lekë të vjetra. Kaq është shuma totaleve e gjobave të vendosura nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (17.12.2008), ku pjesën e “luanit” e zënë klubi i futbollit “Besa” (1 milionë lekë të vjetra për mosmarrje të masave të mjaftueshme organizative gjobitet) dhe futbollisti i Sopotit të Kategorisë së Parë, Nuredin Sula (po 1 milionë lekë të vjetra për goditje me grushte të trajnerit të ekipit kundërshtar, Përparim Daiut të Dajtit). Pa u ndëshkuar nuk mbetën as haitiani i Besës, Herby Fortunat (300 mijë lekë të vjetra gjobë), i cili i hodhi “thonjtë në grykë” futbollistit të Shkumbinit, Daniel Ramazani në takimin Besa-Shkumbini (2-0), por dhe “tre muskutjerët” e Vllaznisë, Suad Lici, Safet Osja e Armir Grima (secili nga 300 mijë lekë të vjetra).
Të gjitha vendimet
- Futbollisti i Lushnjës, Gentian Cela, per gjeste fyese dhe provokuese ndaj zyrtarëve të FSHF-së, pezullohet 2 ndeshje dhe gjobitet me 30.000 lekë.
- Futbollisti i Besës, Herby Fortunat, për gjeste fyese dhe provokuese ndaj lojtarit kundërshtar pezullohet 2 ndeshje dhe gjobitet me 30.000 lekë.
- Futbollistët e Vllaznisë, Suad Lici, Safet Osja, Armir Grimaj, për gjeste fyese dhe provokuese ndaj kundërshtarit, gjobiten me nga 30.000 lekë secili.
- Futbollisti i Sopotit, Nuredin Sula, për goditje me grushte te trajnerit te ekipit kundershtar, pezullohet nga aktiviteti per 1 vit dhe gjobitet me 100.000 lekë.
- KF “Besa”, për mosmarrje të masave të mjaftueshme organizative gjobitet me 100.000 lekë.
- Futbollistët: Mateo Metaj (Turbina), Behar Ramadani (Burreli), për goditje ndaj njëri-tjetrit pezullohen me nga 5 ndeshje nga aktiviteti futbollistik dhe gjobiten me nga 30.000 lekë.
- Futbollisti i Burrelit, Enis Haxhija, per gjeste fyese dhe provokuese ndaj arbitrave, pezullohet 2 ndeshje dhe gjobitet me 30.000 lekë.
- Futbollisti i Maliqit, Altin Sejdarasi, për ofendim të arbitrit pezullohet 2 ndeshje dhe gjobitet me 30.000 lekë.
- Futbollistët: Erando Pire (U-19, Naftëtari), Erald Menalla (U-19, Sopoti), për goditje ndaj njëri-tjetrit pezullohen nga 8 ndeshje dhe gjobiten me nga 10.000 lekë secili.
- Futbollisti i ekipit U-19 të Skraparit, Mehmet Tusha, për goditje me grusht të Kundërshtarit, dënohet 8 ndeshje dhe gjobitet me 10.000 lekë.
- Ekipet “U-17” dhe “U-19” të Skraparit, për aktivizim të lojtarëve brenda një dite në dy ndeshje, në aktivitetin futbollistik që organizon FSHF-ja, i humbasin ndeshjet me rezultatin 2-0, të cilat i fitojnë respektivisht ekipet “U-17” dhe “U-19” të Bilisht Sportit. Trainerët e ekipeve “U-17” e “U-19” të Skraparit, Bledar Petriti dhe Genci Lamce, gjobiten me nga 10.000 lekë secili.
E Merkure, 17 Dhjetor 2008