Shaqirit i duhet shumë punë për Bundesligë
Xherdan Shaqiri e ka nisur mjaft mirë eksperiencën në Bayern Munich. Mesfushori kosovar ka pasur paraqitje pozitive në stërvitje dhe në ndeshje miqësore. Mirëpo, gazetari i ‘Sport Bild’, Tobias Altschaffl mendon se kjo nuk është e mjaftueshme që ish futbollisti i Baselit të shkëlqejë në kampionatin gjerman, i cili është shumë më i fortë se ai zviceran.
20 vjeçari është pritur mjaft mirë në Gjermani nga tifozët dhe gazetarët. Por, pasi mori lëvdata të vazhdueshme, ka prej gazetarëve që dhanë edhe këshilla. “Ai e di se çka mund të bëjë dhe këtë e thotë. Ai i ka hutuar të gjithë”, thotë Altschaffl për tabloidin e njohur gjerman.
Ai mendon se Shaqiri duhet të zhvillohet ende në nivelin sportiv. “Ai është njëri prej shumë lojtarëve që kanë të njëjtin nivel, kështu që nuk mund të veçohet shumë. Atij i nevojitet kohë që të ambientohet. Sigurisht, edhe ai i ka pikët e dobëta të tij”, analizon gazetari gjerman.
Sipas tij, ka ndodhur që ‘Shaq’ në tentim për t’i gjetur shokët, i ka humbur tre topa rresht, të cilët i kanë takuar kundërshtarit. Sidoqoftë, Altschaffl është i bindur se futbollisti gjilanas do t’i ketë rastet e veta në kampionat.
“Në fillim të sezonit, trajneri Jupp Heynckes do ta fusë në lojë në 30 minutat e fundit. Por, nëse i shfrytëzon mundësitë që i jepen, ka mundësi të luajë më shumë. Besoj tek ai dhe për sezonin e parë besoj se do ta ketë notën nga 6 deri në 10”, përfundoi gazetari gjerman.