E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i Ushtrisë Shqiptare vizitoi FSK-në

Prishtinë, 1 shtator - Ministri i MFSK-së, Fehmi Mujota dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, sot pritën shefin e Ushtrisë Shqiptare gjeneralin Maksim Malaj. Për nder të shefit të Ushtrisë Shqiptare, ishte rreshtuar edhe Njësia Ceremoniale e FSK-së. Ministri Mujota dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Selimi, me këtë rast, Shefin e Ushtrisë Shqiptare e njoftuan me të arriturat e FSK-së, si dhe me planet dhe përpjekjet për përmbushjen e detyrave dhe të obligimeve kushtetuese, për ngritjen e FSK-së. Në takim u bisedua edhe për nevojat e tanishme që ka FSK-ja, në plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale.    
Shefi i Ushtrisë Shqiptare rikonfirmoi mbështetjen e mëtejme të Ushtrisë Shqiptare për Forcën e Sigurisë të Kosovës, në bazë të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar nga të dy ministritë vitin e kaluar, me theks të veçantë në vazhdimin e trajnimeve dhe shkollimin për oficerë dhe nënoficerë të FSK-së. Po ashtu gjenerali Malaj duke u falënderuar për kontributin e njësisë së kërkim - shpëtimit të FSK-së  në Shqipëri, gjatë vërshimeve të janarit të këtij viti, shprehi gatishmërinë për mbështetjen e vazhdueshme edhe në fusha të tjera të nevojshme, për këtë fazë të zhvillimit të FSK-së në plotësimin e kapaciteteve të para operacionale.
Ministri Mujota dhe gjeneral Selimi falënderuan Shqipërinë dhe Shefin e Ushtrisë Shqiptare për kontributin e dhënë në shkollimin dhe profesionalizimin e kuadrove të FSK-së, si dhe për bashkëpunimin e mirë midis dy ministrive.
Në fund të takimit të dy komandantët patën një prononcim për media.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›