Shehi: Pjesën më të mirë të Shqipërisë e kanë drejtuar pjesët më të prapambetura të saj
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, duke analizuar humbjen e thellë të PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, ka renditur disa prej arsyeve. Fillimisht ai thotë se është e vërtetë që një pjesë e humbjes lidhet me Berishën, pasi më 23 qershor ka pasur fillimisht një votë kundër tij.
Por, sipas tij, një ndikim të madh ka pasur edhe cilësia e administratës, që sipas shehit, ka qenë më e keqja në historinë e shtetit shqiptar, si dhe krahinarizimi i thellë në administratë. Sipas Shehit, pjesa më e keqe e Shqipërisë ka drejtuar pjesën më të mirë të vendit.
Kjo administratë publike që kemi prodhuar në këto vite ka qenë ndër më të këqijat. Flas për këtë që ka prodhuar Partia Demokratike në mandatin e dytë. Kur kujtoj administratën që kemi pasur në 92-96, jo për nostalgji, por për kualitet, unë nuk e kam menduar ndonjëherë që ndonjë mekanik i ardhur nga provinca mund të punojë nëpër ministritë e Tiranës apo ndonjë ish-polic mund të bëjë drejtorin në shtetin shqiptar. Ndjehem i ofenduar që kam qenë shefi i mijëra punonjësve. Administrata ka degraduar në një nivel të rrezikshëm. Edhe kjo ka sjellë të mos u përgjigjen kërkesave të qytetarëve, pasi ka qenë arrogante duke qenë injorante. E dyta ka pasur krahinarizëm të theksuar. Nuk mund ta drejtojnë pjesën më të mirë të Shqipërisë, pjesët më të prapambetura të saj. Kjo ndodh në gjithë botën; kjo është një ligjësi e përgjithshme e kush shkel mbi të e ka hapur vetë gropën e humbjes, ka thënë Shehi për gazetën Mapo./b.l