Bernd Fisher: Ishte fat për Berishën që nuk fitoi në zgjedhjet e 23 qershorit
Historiani i njohur amerikan, njohës i mirë i realitetit shqiptar, Bernd Fisher, thotë se humbja e 23 qershorit ishte një fat për Berishën, pasi nëse fitonte, ai do të shkatërronte gjithë trashëgiminë e tij politike.
Ai do të vazhdojë të përpiqet për të ndikuar në ngjarjet, dhe kjo është mjaft e natyrshme. Përmasat e humbjes së tij, megjithatë, në mënyrë të konsiderueshme minojnë aftësinë e tij për të drejtuar zhvillimet brenda partisë dhe vendit në tërësi. Ndonëse trashëgimia e zotit Berishës u dëmtua gjatë mandatit të tij të fundit, ai do të kujtohet si figurë e rëndësishme gjatë tranzicionit të Shqipërisë. Në një farë mënyre mund të thuhet se ishte fat që zoti Berisha nuk fitoi një mandat tjetër, kjo sigurisht do të bënte të mundur që ai të shkatërronte tërësisht trashëgiminë e tij, thotë Fisher në një intervistë për Dita.
Ndërkohë, ai ka dhënë një këshillë për kryeministrin Rama, duke thënë se duhet të shikojë nga e ardhmja dhe të mos merret me çdo keqbërje nga Partia Demokratike gjatë 8 viteve qeverisje.
Unë e di se ka shumë zëra të cilët kërkojnë ndjekjen energjike të të gjitha keqbërjeve të Partisë Demokratike. Unë mendoj se ato janë të gabuara; është koha për shqiptarët që të bëhen bashkë për të përmbushur sfidat e tyre të mëdha që i presin dhe që të jenë të suksesshëm, në këtë mision do të duhet të marrin pjesë të gjitha forcat politike, thotë Fisher, duke sqaruar:
Unë nuk jam duke sugjeruar që krimet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, si Gërdeci dhe 21 janari të injorohen. Njerëzit vdiqën. Sundimi i ligjit kërkon drejtësi. Por unë po flas për unitet të brendshëm dhe progres; ndoshta edhe përmes ndërtimit të ndonjë forme të së vërtetës dhe një komisioni pajtimi për krimet jo vdekje prurëse. Le të marrë fund rendi tradicional i gjërave në politikën shqiptare për të mirën e kombit dhe shtetit. /b.l